Opozita ka hedhur akuza të rënda ndaj qeverisë në lidhje me dorëheqjen e deputeteve në qarkun e Lezhës. Seanca plenare e Kuvendit ka nisur sot me debate të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës, sa i përket dorëheqjes së deputeteve femra në qarkun e Lezhës. Deputetët e opozitës kanë deklaruar se, deputetet e qarkut të Lezhës janë dorëhequr, pasi janë kërcënuar nga mafia.
“Unë i ftoj të gjitha gratë që ndodhen këtu të ndërmarrim aksione konkrete. Të mos pranojmë këtë që ka ndodhur dhe kryeministri sot duhet të shprehet. Sot ju nuk mund të heshtni. Ju nuk mund të heshtni, ku dhunohen ditën për diell gratë”, theksoi deputetja e PD-së Mesila Doda.
Menjëherë ka reaguar edhe deputeti demokrat Sali Berisha, i cili ka kërkuar fjalën por nuk i është dhënë nga kryetari i Parlamentit, Ilir Meta.
“Ju lutem zoti Berisha keni kohë për të folur pasi kemi shumë çështje për të diskutuar. Keni edhe kohën e diskutimeve në fund. Ju lutem shumë mos e shfrytëzoni tolerancën për veprime jo konstruktive. Shqetësimet tuaja të drejta ose jo, keni të drejtë t`i ngrini sipas rregullores”, tha Meta.
Deputetja e PD-së, Mesila Doda, e mori sërish fjalën dhe kërkoi reagimin e Kuvendit dhe të kryeministrit Edi Rama, për lënien e mandatit nga ana e tri grave, sipas saj të detyruara, të bëjnë një veprim të tillë.
“Janë tri gra që po i mohohet prania në këtë Kuvend, nuk mjafton që të vini e të miratoni ligje për të drejtat e grave, sot duhet të dilni në krahë të tyre. Mos u bëni pale e dhunuesve. Gratë të marrin aksione konkrete, Rama duhet të shprehet, jemi votuar nga burrat e gratë, e duhet të dilni garant i të drejtave të grave, nuk bëhet vend më i mirë nëse gratë dhunohen ditën për diell”, tha Doda.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi deputetes së PD-së, Jozefina Topalli, e cila ka hedhur akuza ndaj qeverisë, duke thënë se po ushtron presion duke shkelur të drejtat e grave.
“Çohuni zotërinj deputetë, dilni zot të së ardhmes së fëmijëve tuaj, ajo që po ndodh sot është jashtëzakonisht e rëndë, të gjithë këtu po heshtim. Mesila kjo nuk është çështje grash, unë e refuzoj. Të thërrasim zonjat, nuk janë të sëmura, por u kanë marrë peng vëllezërit. Kodi i heshtjes është kodi i mafies ky që përdorin këta”.
Kreu i Kuvendit disa herë u ka kërkuar deputetëve të opozitës që akuzat e tyre t’i depozitojnë në Prokurori, sepse në të kundërt ato mbeten thjesht spekulime dhe dezinformojnë publikun.
Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli theksoi se zonja nga Lezha që lë mandatin është e sëmurë me dializë dhe akuzat janë të pabaza.
“Zonja Topalli nuk mund të ketë qenë aleancë e grave, e më vjen keq se në emër të grave nuk mund të abuzohet për gratë, unë si deputete e qarkut të Lezhës, si përfaqësuese e forcës politike, kam dhënë dorëheqjen. Zonja e mandatit, është në proces dialize 3 herë në javë, ajo hyri në listë për shkak të figurës që përfaqëson në atë rreth, në një kohë që bazuar në kodin tonë të respektuar zgjedhor, në mënyrë që kuotat të respektohen, përndryshe partitë politike gjobiten. Unë mendoj që t’i japim fund këtij shou që nuk është i denjë për gratë shqiptare”.
Berisha: Mimikofidentja po përdoret si antigrua. Kodheli: Jetën e babait tim ta kam borxh, po CV-në e kam pa vrasje
Një tjetër përplasje ka ndodhur mes përfaqësuesit të së djathtëve, Sali Berisha dhe deputetes së PS-së, Mimi Kodheli.
Berisha akuzoi maxhorancën se po zëvendëson deputetet gra me përfaqësues të mafies. “Po dhunohen në mënyrën më brutale, nënat, motrat, gratë. Sot në Parlament i nënshtrohemi mafies, tentakulave dhe kompromisit ndër më të turpshmit në histori, për të përzënë nga Parlamenti dy zonja dhe për të zëvendësuar me të fortë e përfaqësues të mafies. Por këtë bëjnë këta, përdorin një grua që të sulmojë një grua. Kur bruaja bëhet antigrua dhe mbron të drejtat e grave. Përdori një grua për të sulmuar gratë. Ja ku po ja them, po përzihen nga puna 2 gra, moj zonja e 20%. Sa i përket kësaj konfidentes që ka për borxh të thotë kryekreu, i them këtu që ajo deputete mund të kujdeset për shëndetin e vet si deputete tre herë më mirë sesa jo deputete. Ajo deputete që ka një problem në veshka mund t`i shërbej vetes në pozitat e deputetes disa herë më mirë . Ky parlament ka rregullat e veta dhe ka trajtimin e vetë ndaj deputetëve të sëmurë. Ka solidaritetin e vet ndaj deputetëve të sëmurë, por jo flakjen. Ka një kufi për mimikofidenten. Unë të them ty se atij që i bën avokatin, jo një herë po me dhjetëra herë të ka sharë ty, sepse kishte xhelozi se merrje me shumë se ai”, iu drejtua Berisha ministres Kodheli.
Ndërsa nga ana tjetër Kodheli iu kundërpërgjigj Berishës duke i thënë: “Sali Berisha ne të dy njihemi shumë herët. Unë kam burrninë të them: Jetën e babait tim ta kam borxh dy herë, jo një herë, për të tjerat me mua nuk krahasohesh, sepse në CV-në time nuk ka pasur as vrasje dhe as vjedhje”,- tha Kodheli.
Thursday, 23 January 2014 13:29