Lajme Shqip Sunday, 19 January 2014 12:04

Tiranë-  I dënuari për krime seksuale, Arben Tollia, ka mbajtur komunikim nga burgu dhe dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale gjatë lejeve shpërblyese edhe me dy femra të tjera gjatë vuajtjes së dënimit vitet e fundit. 

Burime të gazetës “Panorama” kanë pohuar dje se pas denoncimit të bërë në Prokurorinë e Durrësit nga 30- vjeçarja që ishte mashtruar në Facebook nga i dënuari dhe ishte takuar me të në një hotel në Durrës, është zbuluar komunikimi i Arben Tollisë edhe me dy femra të tjera. 

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pohoi dje se i dënuari me 12 vjet burg për marrëdhënie seksuale me dhunë ka përfituar leje në datat 6 shtator 2013 deri më 11 shtator 2013, pra gjithsej 5 ditë. Në këtë kohë ai ka takuar në Durrës 30-vjeçaren me të cilën ka kryer marrëdhënie seksuale në një hotel në Durrës, pa dëshirën e saj. Vajza ka bërë denoncim menjëherë pas ngjarjes dhe prokuroria ka filluar hetimet. 

“Gjatë këtij hetimi, me metoda speciale është mësuar se jashtë burgut, gjatë lejes shpërblyese, por edhe pasi është kthyer në burg, Arben Tollia ka komunikuar me dy femra të tjera”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, bazuar në komunikimet e kryera, dyshohej se i dënuari ka kryer marrëdhënie seksuale edhe me këto dy femra.