Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme, në qytetin e Rrogozhinës. Dy persona janë vrarë me armë zjarri, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur rëndë, në vendin e njohur si “Bishti i Zhurit”, rreth 40 kilometra larg qytetit të Durrësit. Astrit Gjepali, i njohur si “kapoja” i bandës së Durrësit, ka mbetur i vdekur nga breshëria e automatikut, ndërsa mësohet se ka humbur jetën edhe shtetasi Halit Fici, i cili ndodhej në makinë me Gjepalin. Të plagosurit, identiteti i të cilëve ende nuk bëhet i ditur, janë dërguar me urgjencë në spitalin e Durrësit, ku ndodhen në gjendje të rëndë.
Astrit Gjepali kishte marrë lejen më datë 9 janar dhe sot duhej të kthehej në burgun e Peqinit, për të vuajtur dënimin e mbetur. Ai ishte dënuar me 25 vite burg për vrasje, dhe ishte ekstraduar nga Italia në vitin 2006. Gjepalit i kishin mbetur edhe 6 vjet e 7 muaj, nga 25 vitet e dënimit. Mësohet se Gjepali ndodhej në makinë, kur një automjet tjetër është afruar dhe ka qëlluar në drejtim të makinës së tij me breshëri automatiku. Si pasojë, i vdekur në vend ka mbetur Gjepali, miku i tij Halit Fici, si dhe u plagosën dy të tjerë që ndodheshin në makinë me të burgosurin. Mendohet që vrasja të ketë ndodhur për arsye hakmarrjeje, për vrasjet që ka kryer Gjepali. Sipas policisë në shënjestër ka qenë vetëm Gjepali, ndërsa Fici është vrarë aksidentalisht nga plumbat ishin planifikuar për Gjepalin.
Banda e Gjepalit
Astrit Gjepali njihet si kreu i një prej bandave më të rrezikshme të Durrësit në vitin 1997 “banda e Gjepalit”. Pjesëtarët e kësaj bande akuzohen për vrasjen e pesë personave brenda 24-orëve, në qershor të vitit 1997, në Durrës. Gjithashtu kjo bandë akuzohet edhe për katër rrëmbime personash si dhe për grabitje të shumta. Përveç vrasjeve në Durrës, Gjepali akuzohet edhe për vrasjen e shtetasit Ylli Majaci, i ekzekutuar në Zyrih të Zvicrës, më 23 mars të vitit 1993.
Anëtarët e grupit
Astrit Gjepali, dënuar me 25 vjet burg
Naim Qerimi, dënuar me 25 vjet burg
Mirush Jareci, dënuar me 20 vjet burg
Bashkim Haxhia, dënuar me 20 vjet burg/shqiptarja/
Thursday, 16 January 2014 16:44