Kryetari i bashkisë së Kamzës menjëherë sapo është liruar nga burgu ka organizuar ditën e sotme një festë, ku i ftuar ka qenë edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Njoftimin e ka bërë vetë Mëziu në rrjetin social “Facebook”.
“Sot në orën 15:00 te Pallati i Kulturës në Kamzë, vjen kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Z.Lulzim Basha, në një takim përshëndetës me rastin e fitores së betejës politike të Z.Xhelal Mziu. Jeni të ftuar të merrni pjesë”, shkruan në faqen zyrtare të Xhelal Mziut në “Facebook”.
Lirohet nga burgu Xhelal Mziu, Apeli ndryshoi masën e sigurisë
Gjykata e Apelit pasi ka shqyrtuar kërkesën për apelim të masës së sigurisë për kryetarin e bashkisë së Kamzës, Xhelal Mziu, ka ndryshuar vendimin për të. Sipas Apelit, Gjykata e Tiranës kishte vendosur “arrest me burg” për kryetarin e Kamzës, sot u vendos masa e sigurisë “detyrim paraqitje” për Xhelal Mziun. Seanca gjyqësore u zhvillua pa praninë e medieve, ndërsa përpara Gjykatës së Apelit janë mbledhur simpatizantë të shumtë të kryebashkiakut të Kamzës. Vendimi u dha rreth orës 10:15 minuta dhe medias iu komunikua nga vetë avokati i Mziut, Genc Gjokutaj.
Sipas avokatit gjykata ka argumentuar vendimin për lirimin nga qelia të Mziut me faktin se, nuk ekzistojnë rrethana rënduese për largimin e Mziut apo ndryshimin e provave. Ndërkohë që nga ana e Prokurorisë është kërkuar që të lihet në fuqi vendimi i Gjykatës së Tiranës për masën e arrestit.
Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Mziun, i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe pabarazi në tenderë.
Vetë Xhelal Mziu i ka kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tij, duke deklaruar se është i pafajshëm.
Kryetari i bashkisë Kamëz u arrestua në 20 dhjetor, pasi akuzohet për pabarazi në tenderin e ndërtimit të rrugës Valias i Ri-Laknas.
Rreth 800 milion lekë të reja ka qenë fondi i segmentit rrugor Valias i Ri-Laknas dhe Mziu akuzohet se ka skualifikuar ofertën më të ulët ofruar në një kompani, duke ia lënë tenderin një kompanie tjetër, e cila kishte ofruar rreth 200 milion lekë më pak sesa shumë prej 800 milionë lekë.
Arrestimi i kryebashkiakut të Kamzës erdhi pas një hetimi, i cili kishte nisur disa muaj më parë, nga krimi ekonomik në policinë e Tiranës.
Xhelal Mziu, 46 vjeç është zgjedhur si Kryebashkiak i Kamzës në 18 shkurt të vitit 2007 dhe në vitin 2011 ka fituar mandatin e dytë nga Partia Demokratike. Aktualisht po ushtronte mandatin e tij të dytë në këtë detyrë./shekulli/
Monday, 13 January 2014 17:27