Lajme Shqip Monday, 13 January 2014 10:59

Tre familje të cilat jetonin në të njëjtin kat të një pallati në lagjen “Beslidhja” të qytetit të Lezhës  në orët e para të mëngjesit të sotëm kanë përjetuar orë tmerri.  

Dy persona me maska dhe të armatosur kanë hyrë në banesat e tyre me qëllim grabitjen.

Tre familjet banonin në katin e tretë të pallatit, dhe apartamentit i kishin ngjitur me njëra tjetrën. Nga të dhënat e para grabitësit duhet të kenë pasur dijeni që në këto familje nuk ishin burrat, të cilët jetojnë në emigracion.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:00 e ditës së sotme (13 janar 2014).
 
Sipas dëshmitarëve mësohet se në dy prej banesave, janë dhunuar gratë, të cilat ishin vetëm në banesë, ndërsa bashkëshortët e tyre jetojnë në emigracion prej disa vitesh. Mësohet gjithashtu se atë natë në banesë nuk kanë qenë as fëmijët e dy grave.

Personat e maskuar u kanë marrë paratë, bizhuteritë dhe sende të tjera me vlerë.
Nga burimet e para mësohet se autorët kanë përdorur dhunë ndaj grave, të cilat kanë kundërshtuan grabitësit. Më pas janë larguar me  sendet e me vlerë që kanë vjedhur, duke përfituar dhe nga errësira.

HYNE NGA BALLKONI, GRABITESIT  HARROJNE TELEFONAT

Mësohet se grabitësit kanë hyrë nga ballkoni i njërës prej banesave dhe më pas kanë bërë dhe grabitjen e dy banesave të tjera të cilat ndodheshin ngjitur me njëra tjetrën.

Policia ka shpresa për identifikimin e shpejtë të autorëve  të kësaj grabitje pasi ata kanë harruar telefonat në vendin e grabitur. 

Mësohet se vlera e grabitur është e konsiderueshme. Policia  është duke hetuar për të zbardhur rrethanat e plota të kësaj ngjarje, si dhe për identifikimin e kapjen e autorëve. /Shqiptarja/