Lajme Shqip Thursday, 09 January 2014 15:01

 Fakte të reja dalin në dritë në lidhje me masakrën e Korçës, ku humbën jetën katër persona. Në një prononcim për mediat, motra e Danielës, Miranda tregon se, viktima e dinte që do të vritej nga i dashur i saj. Sipas motrës, Daniela dhunohej vazhdimisht nga Bashkim Latollari, i cili e ka rrahur një herë edhe në mes të fshatit. Dy ditë më parë në Gjonomadh të Korçës, dy çifte u ekzekutuan me armë zjarri nga 40-vjeçari Bashkim Latollari. Familjarët e Daniela Meçollarit, viktima e cila u bë edhe shkak për tragjedinë, ka pranuar lidhjen mes autorit dhe 30-vjeçares. “Kishim frikë ta denonconim Bashkim Latollarin, pasi ishim të tmerruar nga ai. Bashkim Latollari e dhunonte vazhdimisht motrën time dhe kjo ka ndodhur edhe tri ditë para se ta vriste”, rrëfen Miranda, ndërsa ka mohuar deklaratat e autorit se djali 4-vjeçar i çiftit Meçollari është i tij. “Ai e ka rrahur një herë Danielën edhe në mes të fshatit. Bashkimi e kishte kërcënuar se do ta vriste. Ajo e dinte që do ta vriste, ma tha dy ditë pas vitit të ri”, tha Miranda. Gjithashtu familjarët e Daniela Meçollarit kanë kërkuar nga drejtësia të japë dënim maksimal për Bashkim Latollarin. “Shteti ta dënojë maksimalisht Latollarin, në të kundërt do të hakmerremi”, është shprehur kunati i viktimës. Autori: Daniela ose me mua, ose në varr Bashkim Latollari ka dëshmuar në polici për arsyet e vrasjes së katërfishtë. “Unë e doja marrëzisht Danielën. Kishim katër vite bashkë dhe nuk mund të ndahesha me të. Djali i vogël i saj është i imi dhe për këtë jam i bindur. I kërkova asaj të divorcohej dhe të martohej me mua. Fillimisht nuk më ktheu përgjigje dhe unë po prisja. Por, gjithçka u prish nga Rexhep Metollari, daja i Belimonit. Ai dhe bashkëshortja e tij, Valentina ndërhynë dhe prishën lidhjen time, ndaj i vrava. E kisha vendosur, Daniela o do të bëhej e imja, ose më mirë në varr”, është shprehur 40-vjeçari. Ngjarja Ngjarja e rëndë u shënua gjatë mbrëmjes së të martës në fshatin Gjonomadh, ku Bashkim Latollari ka shkuar i armatosur në banesën e Rexhep Metellarit, duke e ekzekutuar me arsyen se kishte prishur lidhjen që ai kishte me Danielën, nusen e nipit të tij. Bashkim Latollari nuk ka kursyer as bashkëshorten e Rexhepit, Valentinën duke e lënë edhe atë të vdekur në vend. Nga deklaratat që ka bërë autori në polici, mësohet se ai menjëherë pasi ka ekzekutuar çiftin Metellari është nisur drejt banesës, ku jetonte e dashura e tij së bashku me bashkëshortin e saj dhe dy fëmijët 4 dhe 6 vjeç. Nën kërcënimin e armës ai ka kërkuar nga Daniela Meçollari, të braktiste bashkëshortin dhe të largohej me të, por kjo kërkesë nuk është pranuar nga ana e saj, çka është bërë edhe shkas që 40-vjeçari Bashkim Latollari të hapë zjarr edhe ndaj këtyre dy bashkëshortëve duke i lënë ata të vdekur në vend. “Gjithçka e kam bërë nga pasioni për Danielën”,mësohet të jetë shprehur vrasësi, i cili ka pretenduar se fëmija 4-vjeçar është i tij. Menjëherë pas kryerjes së këtij krimi, Bashkim Latollari është dorëzuar te kryeplaku i fshatit, për t’u arrestuar më pas nga policia./shekulli/