Policia e Tiranës ofron 10 mijë euro shpërblim për këdo që jep informacion që çon në kapjen e babagjyshëve grabitës, të cilët vodhën një argjendari në një qendër tregtare në kryeqytet. Policia e Tiranës garanton për anonimatin e personit që do të japë informacionin. Kushdo që mund të ketë një informacion të tillë mjafton të marrin në numrin 129 të policisë së kryeqytetit, i cili është pa pagesë.
“Në vijim të njoftimit të datës 24.12.2013, ku në ambientet e qendrës tregtare në Tiranë, nën kërcënimin e armës ndodhi vjedhja me armë e një dyqani argjendarie, ju bëjmë me dije se, Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë, ofron një shpërblim prej 10 mijë eurosh për çdo person që jep informacion të vlefshëm në drejtim të identifikimit dhe kapjes së autorëve, në çdo rast duke ruajtur anonimatin”, -thuhet në njoftimin për shtyp të policisë.
Ngjarja ka ndodhur në datën 24 dhjetor, kur katër persona të veshur si babagjyshë, nën kërcënimin e armës, grabitën një argjendari në një qendër tregtare. Pas grabitjes, katër babagjyshët u larguar menjëherë në drejtim të paditur me një automjet, të cilin e dogjën dhe e braktisën në afërsi të Lundrës.
Identifikimi i grabitësve nga kamerat e sigurisë së qendrës bëhet i vështirë, për faktin se ata ishin maskuar si babagjyshë dhe nuk mund t’u shikohet fytyra. Kjo ka bërë që policia e Tiranës të kërkojë ndihmën e qytetarëve duke ofruar edhe shpërblimin prej 10 mijë euro për informacionet që do të çojnë në kapjen e grabitësve, transmeton shekulli.
Autorët dyshohet të jenë nga Kosova ose nga zonat e Laçit dhe Fushë-Krujës, sipas theksit të përdorur gjatë grabitjes, por policia ende nuk ka rënë në gjurmët e tyre.
Monday, 06 January 2014 19:58