Kryeministri i vendit, Edi Rama, mbajti sot konferencën e fundvitit, ku morën pjesë anëtarët e stafit të Kryeministrisë, ministrat si dhe gazetarët e të gjitha mediave në vend. Në fillim të fjalës së tij Rama foli për arritjet e qeverisë së tij në këto 100 ditët e para. Rama është shprehur se viti 2013 është viti i ndryshimit për kursin e ri të Shqipërisë nga e ardhmja. Ai tha se po i kthehet dinjiteti shumë institucioneve që e kanë humbur funksionin e tyre. Kryeministri theksoi se në fillim të vitit ardhshëm, mbledhja e parë e qeverisë do të jetë një mbledhje e përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe qeverisë shqiptare.
“Pesimizmi me të cilin nisi viti 2013, ditë pas dite i la vendin optimizmit të nisur pas 23 qershorit. Buxheti i 2014-së ja ka kthyer optimizmin Shqipërisë. Me votën e tyre, mjekët, policia, ushtarakët, tani do marrin më shumë lekë dhe do kenë më pak taksa. Vitin e ardhshëm do të nisë me mbledhjen e parë të dy qeverive, asaj shqiptare dhe të Kosovës. Shërbimet tona publike në arsim, shëndetësi etj. vitin e ardhshëm do të përfshihen në reforma të shumta. Plani kombëtar i kontrollit të territorit që ka nisur tashmë, gjatë vitit të ardhshëm do të bëhet edhe më i madh. Shlyerja e borxheve të pakëndshme, bashkë me kantieret e reja do ta bëjnë vitin e ardhshëm, vitin e rilindjes. Marrja në dorë e pasurive kombëtare dhe përdorja siç duhet, sapo ka nisur dhe do të vazhdojë më shumë gjatë vitit të ardhshëm”.
I pyetur në lidhje me zotimin e tij për legalizim falas të shtëpive, Rama u shpreh se në janar do të shpallet edhe platform në lidhje me këtë çështje. “Shqiptarët që mbijetojnë në zonat informale dhe që prej vitesh kërkojnë të legalizojnë banesat, do ta përfundojnë kalvarin e tyre për legalizimin e banesave. Duhet të keni pak durim dhe të prisni janarin, kur ne do të shpallim platformën tonë të re të legalizimeve që është në përputhje të plotë me zotimet tona. Duke iu dhënë mundësi atyre që kanë shtëpitë e tyre në zonat informale të marrin certifikatën përfundimtare të pronës së tyre. Legalizimi falas nuk është një premtim elektoral, por një zotim ynë ku ngrihet e gjithë platforma jonë. Vendosja e ndërtimeve të reja në Gjirokastër, Berat dhe Krujë do të rilindë këto qytete”, theksoi Rama.
Gjithashtu kryeministri shtoi se qeveria do të vijojë edhe vitin e ardhshëm të prishë ndërtimet përgjatë bregdetit. “Pa asnjë pikë dyshimi ne do të vazhdojmë me betejën për të marrë plotësisht nën kontroll territorin. Është i sigurt që edhe shembjet më spektakolare janë fillimi i një vazhde që nuk do të ndërpritet në 2014”, tha Rama.
Kryeministri kur është pyetur edhe në lidhje me bashkëpunimin me opozitën ka theksuar se tashmë ka nisur një erë e re në këtë drejtim. “Njerëzit nuk kanë votuar thjeshtë për të zëvendësuar disa me disa të tjerë, por për një ndryshim rrënjësor. Kemi bërë një ndryshim rrënjësor edhe me opozitën dhe mjafton të shikoni se sa flet kryeministri dhe kreu i opozitës të kuptoni se si ka ndryshuar qëndrimi ynë. Ne do të dëgjojmë, por edhe do të udhëheqim”, tha ai./shekulli online/
Monday, 30 December 2014 14:34