Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ka kërkuar nga ushtria e vendit që të jetë në gjendje gatishmërie, duke thënë se lufta mund të shpërthejë “pa ndonjë njoftim paraprak”.
Komentet e tij janë raportuar nga mediat shtetërore në Phenjan. Në lidhje me stabilitetin e regjimit të Koresë së Veriut ka pasur shqetësim që kur Kim Jong Un ka urdhëruar ekzekutimin e burrit të hallës së tij dhe ish-mentorit politik, Jang Song-Thaek, muajin e kaluar.
Të martën, një qendër kërkimore në Shtetet e Bashkuara ka thënë se imazhet satelitore tregojnë shenja që po punohet në reaktorin bërthamor Youngyon. Ky i fundit është mbyllur në vitin 2007, si pjesë e një marrëveshjeje ndërkombëtare, e cila synonte kufizimin e aftësisë së Koresë Veriore për të prodhuar armë bërthamore. Koreja e Veriut ka kryer tre teste të suksesshme bërthamore, të fundit në muajin shkurt.
Gjithashtu para pak ditësh Koreja e Veriut e ka kërcënuar Korenë e Jugut, së nëse vazhdon ta provokojë dhe të hapë informacione të rreme do të hidhet në sulm kundra saj. Sipas Koresë së Veriut, Koreja e Jugut e ka provokuar hapur me protestat e zhvilluara në qendër të Seulit, ku është demaskuar lideri koreano-verior, raporton shekulli.
Mesazhi paralajmëron se, Koreja e Veriut do të godasë me armë çdo shtet që e provokon dhe e para është Koreja e Jugut, e cila nëse përsëritet provokimet kundër regjimit do të sulmohet.
Mesazhi thotë se shkak për këtë paralajmërim janë bërë protestat para një jave, në të cilën protestues konservatorë u mblodhën në Seul dhe dogjën flamurin koreano-verior. Gjithashtu protestuesit dogjën edhe pankarta me imazhe të Kim Jong Un. Këto protesta u zhvilluan në përvjetorin e dytë të vdekjes së ish-udhëheqësit Kim Jong Il .
Ndërsa Ministria e Mbrojtjes së Koresë së Jugut i ka kthyer përgjigje Koresë së Veriut lidhur me kërcënimin, raporton CNN. Në mesazh thuhet se, “nëse Koreja e Veriut vazhdon me kërcënim ne do t’i përgjigjemi me të njëjtën mënyrë”.
Wednesday, 25 December 2013 13:01