Sot Kryeministri Edi Rama ka prezantuar në Kuvend projektbuxhetin për vitin 2014. Kryeministri në fjalën e tij u shpreh se, shqiptarëve u duhet një Kuvend që flet, vendos dhe jeton me ta dhe për ta, kudo ku jetojmë në kohë sfidash globale të jashtëzakonshme, kombëtare sociale, ekonomike kulturore.
“Njerëzve u duhet një shumicë parlamentare që nuk e siguron mbijetesën duke kalëruar në kurrizin e tyre me borxhet e marra në emër të tyre, por u duhet një opozitë parlamentare që nuk e le bosh vendin në llogoren e mes gënjeshtra dhe fyerjeve. U duhet sot shqiptarëve një qeveri që nuk mendon sesi do zgjidhet përsëri, por që punon ditë natë për të bërë zgjedhjet e duhura jo për pushtetin e vet por për popullin. Ne nuk jemi rizgjedhur për t’u rizgjedhur me çdo çmim, por për të zgjidhur këmbët e Shqipërisë nga borxhet, injoranca, korrupsioni ti japim mundësinë këtij vendi të qeveriset si shtet”.
Rama hodhi akuza ndaj qeverisë paraardhëse, duke thënë se, e ka zhytur vendin në borxhe, duke e katandisur qeverinë një “Sude Pazar”. Ai tha më tej se, ky nuk është buxhet elektoral, por është buxheti i përballjes me krizën ekonomike dhe i katrahurës financiare që kemi trashëguar.
“Ky nuk është një buxhet elektoral investimesh për të prerë shirita e për të thurur rrugë, rrugë, duke e zhytur vendin në borxhe e duke e katandisur qeverinë në një “Sude Pazar”, por për shlyerjen e borxheve, është më i madh se buxheti elektoral i vitit të kaluar në investime direkete e indirekte në ekonomi duke garantuar garantojë rifillimin e rrugës ekonomike të vendit. Nuk është sa për të hedhur lumin e zgjedhjeve të ardhshme, por për të kapërcyer hendekun e madh që qeveria e ikur hapi mes vendit dhe të ardhmes. Çdo bashki e komunë do të ketë më shumë para nga buxheti se sa ku vit, arsimi e shëndetësia po ashtu, njerëzit në nevojë për të cilët do të ketë më shumë para se ky vit, por nuk do të ketë më mospagesa ndaj invalidëve dhe familjeve me ndihmë ekonomike që do të marrin çdo muaj lekët që u takojnë”, tha Rama.
Rama shtoi se ky buxhet është i atyre 1 milion shqiptarëve që zgjodhën taksën progresive, kundër asaj të sheshtë që u mori frymën dhe Parlamenti ka vetë detyrën ta ratifikojë.
“Ky buxhet është akti solemn i korrigjimit të padrejtësisë që detyroi infermieren të paguante më shumë taksa se ministri i Shëndetësisë, arsimtarin më shumë se ministri, shoferin e kryeministrit të paguante më shumë taksa se vetë kryeministrin. Këtë akt e kanë firmosur me votë 1 milion shqiptarë dhe ky Kuvend ka detyrën ta ratifikojë në respekt të popullit sovran, korrigjohet padrejtësia që detyroi furrë e bukës të nxirrte nga arka më shumë lekë për shtetin sesa një fabrikë çimentoje nga kontot e veta”, tha Rama.
Shefi i qeverisë theksoi se buxheti është një akt kuptimplotë që e nxjerr qeverinë në dritën e përgjegjësive duke u paguar kompanive private një pjesë të borxhit që qeveria i ka për shërbimet e papaguara.
“Ky buxhet edhe falë marrëveshjes së re me FMN-në është shprehja konkrete e një ndryshimi themelor në kulturën qeverisëse të këtij vendi. Një qeveri e zhytur në borxhe dhe që nuk paguan punët dhe shërbimet e bëra nga biznesi nuk mund të ulë infrmalitetin në ekonomi. Ne rrisim me 60 milionë dollarë kontributin për buxhetin, marrim 5 herë më shumë 350 milionë dollarë që ai I morë ndonjëherë e sa kishin për t`I marrë nëse kultura e vjetër qeverisëse e trajtimit të biznesit si skllav I pushtetit që mori fund të 23 qershor ndo do t`ia linte vendin kulturës së partneritetit me sipërmarrjen. Vendosim në vend dinjitetin e qeverisë, sigurojmë kthimin në punë të mijëra njerëzve që punojnë në qindra kompani të bllokuara nga ky zinxhir borxhesh. Sigurojmë uljen e kredive të këqija dhe rifillimin e kredidhënies së bllokuar nga pagesat që hallkat e pengesës së parë e kanë te qeveria. 750 milionë të tjera do të hyjnë përmes investimesh e projektesh të reja, ne realizojmë me këtë stimulin më të madh që i është bërë ekonomisë së vendit në rrugë direkte nga buxheti prej 1.1 miliard dollarësh”, tha ai.
Betimi i deputetëve të rinj
Seanca ka nisur rreth orës 11.00, me prezantimin e rendit të ditës nga ana e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta me betimin e deputetëve të rinj pas lënies së mandatit të ministrave të kabinetit qeveritar.
Kështu deputetët e rinj që janë betuar sot në Kuvend janë Miranda Rira, Anduel Xhindi, Adelina Rista Vladimir Kosta, Enkeleda Shkreli, Silva Caka, Kejdi Mehmetaj dhe Bedri Miha.
Berisha: Dyshja Rama-Meta po eliminon bashkëpunëtorët
Betimi i deputetëve të rinj është kundërshtuar fort nga deputeti Sali Berisha, i cili theksoi se ky është një akt merret nga dyshja Rama-Meta për të eliminuar bashkëpunëtorët e tyre në qeveri. Berisha theksoi se në çdo shtet, ministrat janë deputetë me përjashtime të caktuara, sipas tij Shqipëria në të gjithë Kushtetutën është Republikë Parlamentare.
“Tragji-komedia me kryeministrin e zgjedhur në një kohë kur kryeministri është i emëruar, jo i zgjedhur, vazhdon me kastrimin e plotë politik të kabinetit dhe shndërrimin e tyre thjesht në zëdhënës të krye kreut, ky është shkelmim flagrant mbi kushtetutën, ky kabinet është më i madh se ai i Francës, Spanjës, Gjermanisë, Italisë, më i madh se vendet që janë dhjetëra herë më të pasura se ne, dhe përmbi këtë rriten shpenzimet e Kuvendit nga rritja prej 32% e kabinetit, me mbi 20% shpenzimet e Kuvendit në një kohë kur nuk u jepet paga invalidëve, ndihma ekonomike atyre që numërojnë kafshatat, krijohen pagat milionëshe të zyrtarëve, unë do ta mbyll këtë ndërhyrje duke denoncuar marrëveshjen intrigante të dyshes Rama-Meta dhe të garantojë shqiptarët se ky kat ka në bazë një intrigë banale të dy zotërinjve që përdorin mandatet për të skllavëruar të padatuarit për të qëruar hesapet me bashkëpunëtorët e tyre”, – u shpreh ish-kryeministri Berisha.
Në rend të ditës:
1. Raport i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin “Për verifikimin e mandatit të deputetëve të rinj”.
2. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare datë 16.12.2013.
3. Projektligji “Për disa ndryshime në ligjin nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar”.
4. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”.
5. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9920, datë 19.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
6. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.61/2012, “Për akcizat në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
7. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.9632, datë 30.10.2006, “Për sistemin e taksave vendore”, të ndryshuar”.
8. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.7928, datë 27.4.1995, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”, të ndryshuar”.
9. Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr.7811, datë 12.4.1994, “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr.782, datë 22.2.1994, “Për sistemin fiskal në sektorin e hidrokarbureve (kërkim-prodhim)”.
10. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.10383, datë 24.2.2011, “Për sigurimin e detyrueshëm të kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
11. Projektligji “Për buxhetin e vitit 2014”.
12. Kërkesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike “Për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për të kontrolluar zbatimin e legjislacionit në fuqi për administrimin e bazës së të dhënave shtetërore tatimore”.
13. Projektvendim “Për ngritjen e Nënkomisionit “Për Çështjet e të Miturve, Barazisë Gjinore dhe Dhunës në familje në përbëje të Komisionit të Përhershëm për Punën,Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë”.
14. Projektvendim “Për një ndryshim në vendimin nr.48/2013 “Për caktimin e përbërjes së Komisioneve të Përhershme të Kuvendit”./Shekulli/
Monday, 23 December 2013 13:53