Lajme Shqip Sunday, 22 December 2013 13:28

-Janë plot 24 904 761 lekë të shpenzuara nga ish-Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli për udhëtimet e saj gjatë tetë viteve të qëndrimit në detyrë.  Përballë shifrave të tilla marramendëse interesant është numri i udhëtimeve të kryera gjatë 8 viteve të drejtimit si Kryetare e Kuvendit. Zyrtarisht, ish-Kryetarja e Kuvendit ka realizuar 66 vizita zyrtare të Kryetares së Kuvendit, me ftesë të homologëve, 45 vizita në Shqipëri të Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të ndryshme me ftesë të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, 21 konferenca ndërkombëtare të organizuara në Shqipëri dhe pjesëmarrje të Kryetares së Kuvendit në 48 konferenca të ndryshme ndërkombëtare.

Udhëtimet dhe shpenzimet

Për katër muajt e parë të marrjes së detyrës, që përkon me vitin 2005, ish –kryetarja e Kuvendit ka shpenzuar vetëm 137 mijë lekë udhëtime. Gjatë këtij viti janë kryer vetëm dy vizita zyrtare (Itali, Kosovë). Por një vit më pas, në vitin 2006, shuma do të shumëfishohej duke kapur vlerën 3.3 milionë lekë. Në këtë vit janë realizuar 5 vizita zyrtare (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermani,Austri, Belgjikë, Slloveni). Ajo ka marrë pjesë dhe në 8 konferenca ndërkombëtare. Shpenzimet më të mëdha janë në vitin 2007, ku deputetja Topalli ka paguar për udhëtimet jashtë shtetit një vlerë prej 4.7 milionë lekësh. Kjo shifër ka ardhur duke u zbritur në vitet e mëvonshme, kjo edhe për shkak të fillimit të përgatitjeve për zgjedhjet e përgjithshme, ku përgjithësisht politikanët mundohen që të reduktojnë udhëtimet jashtë shtetit për të qenë prezent në zonat e tyre. Janë realizuar gjatë këtij viti 14 vizita zyrtare, (Çeki, Rumani, Poloni, Francë, Danimarkë, Kinë, Luksemburg, Kosovë, Hungari, Kanada, Belgjikë, Turqi, Maqedoni). Pjesëmarrje në konferenca jashtë vendit janë vetëm 4. Për vitin 2008 nga Kuvendi janë paguar për 3.36 milionë lekë për udhëtimet. Gjatë kësaj kohe janë kryer 15 vizita zyrtare (Kuvajt, Katar, Bahrein, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabi Saudite, Jordani, Letoni, Bosnjë-Hercegovinë, Hungari, Zvicër, Spanjë, Bullgari, Angli, Francë) dhe 4 konferenca jashtë. Ndërsa një vit më pas, që përkon me vitin  e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, janë shpenzuar 3.2 milionë  lekë . Ky vit përkon dhe me 4 vizita zyrtare (Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mali i Zi, Kroaci, Itali) si dhe ka qenë në 6 konferenca ndërkombëtare. Për vitin pasardhës shpenzimet e Kuvendit për udhëtimet e Kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli janë rritur sërish duke tejkaluar 4 milionëshin. Gjatë muajve të parë të vitit 2010, Kuvendi do të bllokonte edhe pagën e deputetëve të Partisë Socialiste duke e lidhur me mungesën e tyre me bojkotin që ndërmori opozita për shkak të pretendimit të saj për manipulim të zgjedhjeve të 2009-s. Gjatë vitit 2010 ka marrë pjesë në 9 konferenca ndërkombëtare dhe ka bërë 10 vizita zyrtare (Austri, Egjipt, Turqi, Gjermani, Suedi, Azerbajxhan, Itali, Marok, Rusi, Indi).  Në vitin 2011 ku Shqipëria u përball me ngjarjet e 21 janarit dhe me zgjedhjet vendore, shumat e shpenzuara nga legjislativi kanë pësuar një përgjysmim duke zbritur në rreth 2 milionë lekë për të vijuar përsëri rritjen më pas për vitin 2012 me 3 milionë lekë. Në vitin 2011 janë realizuar 6 vizita zyrtare (Pakistan, Kuvajt, Hungari, Bosnjë-Hercegovinë, Kosovë) dhe për vitin 2012 janë bërë 8 vizita (Austri, Danimarkë, Itali, Azerbajxhan, Turqi, Jordani, Bullgari, Kosovë). Gjatë këtyre dy viteve , ish-kryetarja ka marrë pjesë në 14 konferenca ndërkombëtare. Për shkak të zgjedhjeve të përgjithshme të këtij viti dhe kohës së shkurtër të mandatit, edhe udhëtimet e Kryetares së Kuvendit kanë njohur një ulje drastike , e cila është pasqyruar edhe në shpenzimet e Kuvendit që janë tepër të ulëta krahasuar me vitet e tjera. Për periudhën janar –shtator 2013, Kryetarja e Kuvendit ka shpenzuar për udhëtime 755 mijë lekë. 

Automjeti i Topallit për fushatë konsumon edhe naftë, edhe benzinë

Zbardhet faturat e shpenzimeve të karburantit për tre makinat e përdorura nga ish-kryetarja e Kuvendit

Gjatë tetë viteve të saj si drejtuese e Kuvendit, ish-Kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka përdorur 3 automjete me targa zyrtare.  Shuma e paguar nga Kuvendi vetëm për karburant për këto automjete është në total 12 059 144 lekë. Në automjetin me targë  TR0015Z që është përdorur gjatë 8 viteve të detyrës së saj,  janë konsumuar 56 460 litra  benzinë me vlerë 7 120 026 lekë. Zakonisht automjetet përdorin ose naftë ose benzinë. Por çuditërisht automjeti i përdorur nga ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli ka konsumuar përveç benzinës, edhe 340 litra naftë në vitin 2009 dhe 350 litra naftë në vitin 2010. Vlera e naftës, bazuar edhe mbi çmimet e kohës ka qenë 110854 lekë. Automjeti i dytë i përdorur gjatë ushtrimit të detyrës si Kryetare e Kuvendit me targë TR0016 Z është përdorur deri në vitin 2007 dhe në vitin 2008 është zëvendësuar me automjetin ML me targë TR 0022Z. Kështu në automjetin e parë të përdorur për tre vitet e para të detyrës, janë shpenzuar  810478 lekë për  7252 litra naftë. Në këtë rast, bie në sy që ky automjet ka përdorur vetëm naftë dhe  jo lëndë të tjera djegëse si në rastin e parë. Por edhe automjeti i vënë më vonë në shërbim të kryetares së Kuvendit me targë TR 0022Z, çuditërisht ka punuar edhe me naftë, edhe me benzinë. Nga viti 2008 e deri në lënien e detyrës në shtator janë konsumuar 2638 litra naftë me vlerë  3 970 184 lekë dhe 300 litra naftë me vlerë 47602 lekë. 

Vitet me më shumë shpenzime

Rritja e shpenzimit për karburant ka ndodhur në vitin 2007 që  ka përkuar edhe me zgjedhjet vendore. Edhe pse fushata mbaroi, konsumi i lartë ka vijuar edhe për dy vitet e tjera. Në vitin 2009 kur ishin edhe zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, shpenzimet kanë qenë  1 124 806 lekë për mbi 8 mijë litra benzinë. Madje në këtë vit është bie në sy edhe blerja e sasisë së 340 litrave naftë. Edhe më e rastësishme është përputhja e blerjes së sasisë tjetër të naftës për një automjet që edhe dokumentet e tij I ka të regjistruara që punon me benzinë. Kështu në vitin aktual, që ishte edhe një vit elektoral, kryeparlamentarja ka shpenzuar për 9 muajt e saj  5200 litra benzinë si dhe 350 litra naftë për të njëjtin automjet.  Edhe në automjetin e ri të marrë nga Kuvendi për t’i shërbyer kryetares së Kuvendit,  me targë TR 0022 Z është blerë naftë për vitin 2013. Në një vit zgjedhor,makina e ish kryetares së Kuvendit ka konsumuar 3980 litra  benzinë si dhe 100 litra naftë.  Edhe në vitin 2010, ky automjet ka konsumuar 4 mijë litra benzinë dhe 200 litra naftë, edhe pse në dokumentet e tij automjeti  ML350  punon vetëm me benzinë. Sipas parametrave teknikë, ky automjet për 100 km, harxhon nga 6.5-16 litra.  

Akuzat

Balla:Topalli udhëtonte me biznes klas

Deputeti i PS-së, Taulant Balla do të akuzonte në seancën e 8 nëntorit ish- kryetaren e Kuvendit, Jozefina Toaplli për shitje vendesh pune në këmbim të parave, për shpenzime marramendëse me fluturime biznes klas dhe karburant për transportin, 7 milionë lekë në muaj. “A e dini sa harxhonte Jozefina Topalli në një vit për naftë dhe benzinë. Vetëm makinat e Xhozefinës dhe të rojeve të saj, faturonin 84 milionë lekë në vit, ose 7 milionë lekë në muaj. Nga buxheti ky I Kuvendit të Shqipërisë dhe I referohem materialit të Kuvendit për buxhetin e vitit 2012. Pra vetëm Jozefina digjte naftë dhe benzinë sa ndihma ekonomike e 350 familje në muaj, apo 4200 familjeve në vit.

Zoti Kryetar i Kuvendit, meqenëse Jozefina Topalli kishte sot diskutimin e radhës patetik, për rregullimin e transportit për funksionarët publikë, duhet sot të marrim nj vendim dhe të hedhim një sy dhe të kontrollojmë se si u shitën 100 makina të deputetëve në vitin 2009 me vlera krejtësisht qesharake. I shiti Xhozefina, i shiti të gjitha. Nuk kam as një inat personal, sepse nuk isha unë një ndër blerësit e atyre makinave, pavarësisht se shiti dhe makinën që më takonte mua. Makinën që unë si deputet i Librazhdit përdorja, Xhozefina ja shiti Pashukut të radhës me një çmim qesharak, 2 milionë lekë të vjetra. Xhozefina Topalli duhet hetuar edhe për këtë. Zonja Jozefinë, aty ku je duke u krehur apo duke u rregulluar, nëse për Shkodrën ishte deputete, je e vetmja këtu në Kuvend që për Lufthansën je senatore. Flas senatore sepse je njeriu që ka fluturuar më shumë se çdo kush tjetër në Republikën e Shqipërisë në këto 20 vjet. E thashë dhe e përsëris, se kjo shpjegon se çfarë ka qenë kryetarja e Kuvendit në 8 vite me radhë. Duhen 72 herë ti biesh botës vërdallë që të plotësosh numrin e miljeve që ka bërë zonja Xhozefinë me paratë e Kuvendit të Shqipërisë. Nuk udhëtonte në klas tjetër, vetëm biznesin njeh, e paskan pas edhe në fis. 996.368.000 lekë të harxhuara nga Jozefina Topalli vetëm për bileta avioni biznes klas, në 8 vite në krye të Kuvendit”, ka deklaruar deputeti Taulant Balla në seancën plenare të muajit të shkuar ku u miratuan shkurtimet e shpenzimeve për zyrtarët e lartë. 

Debati për largimet nga puna

Ish-Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli akuzon pasardhësin e saj, Ilir Meta, për shkarkime në administratën e Kuvendit. Ish-kryeparlamentarja i kërkoi në seancën e një jave më parë pasardhësit që të japë sqarime për shkarkimet që, sipas saj, po ndodhin në administratën e Kuvendit. “Deri tani janë hequr 45 dhe janë në listë dhe 25 të tjerë, nga një administratë që përbëhet me mbi 200 vetë, është shpenzuar paraja e dynjasë që të trajnohen këta njerëz dhe këta janë hequr nga puna”, do të shprehej Topalli. Deklaratat e Topallit duket se bien ndesh me veprimet e kryera nga ajo vetë në kohën që ka drejtuar Kuvendit. Gjatë 8 viteve të drejtimit të saj si Kryetare e Kuvendit, mësohet se Jozefina Topalli ka shkarkuar 44 persona, edhe pse një pjesë e tyre kishin vite që punonin në administratën e Kuvendit. Në listën që disponon “Shekulli”, rezulton se dhjetë prej shkarkimeve të saj, janë punonjës që u emëruan po në kohën kur ajo vetë ka qenë Kryetare e Kuvendit. Gjatë 8 viteve të saj janë kryer 130 emërime. /shekulli/