Tiranë- Ish-kryeministri, Sali Berisha duke marrë në analizë projektbuxhetin e vitit 2014, parashikon se, kjo paketë fiskale do të krijojë në Shqipëri një piramidë nga e cila do të duhen 15 vite për të dalë.
Berisha duke akuzuar kryeministrin, Edi Rama si person me mungesë njohurish në ekonomi, deklaroi qeveria nuk po bën detyrën që i kanë kërkuar ndërkombëtarët.
“Ka krijuar në kokë një model të një Shqipërie që nuk ekziston. Ndërkombëtarët i kanë thënë: Detyra jote si qeveri është të parandalosh rënien në recension të ekonomisë. Përgjigja e tij ka qenë se Shqipëria është në recension dhe e përsërit nga mëngjesi në darkë. Pastaj zgjohet dhe thotë se pas dhjetorit nuk do të ketë më krizë”, tha Berisha.
Por, ish-kryeministri thekson se rënia në recension do të thotë për Shqipërinë një fund tragjik. “Ky është një moment kritik. Po ramë në recesion nuk ka kush na ndihmon. Nuk jemi Itali, Greqi ,Qipro, Maltë… ata kanë vëllanë e madh, kanë Bankë Evropiane ku marrin kredi. Ne nuk kemi”, u shpreh Berisha.
“Çfarë kemi? Ka dy muaj që negocion me FMN-në. Ka adaptuar ‘Kodin e Heshtjes’. Fondi i thotë: Të jap kaq, por blloko rrogat për tre vite. Në tre vite vetëm nga rritja e çmimeve dhe jo e taksave, çdo shqiptar do të ketë një rënie minimumi minimumit 10% të nivelit të jetesës, vetëm nga rritja e çmimeve.”
Në këtë situatë, Berisha propozon si rrugëzgjidhje protestat për detyrimin e qeverisë që të ndryshojë paketën fiskale.
“Cila është rrugëdalja? Absolutisht përveç një lëvizjeje qytetare në mbrojtje të interesave jetike. Të mos kemi iluzione! Ai ka një ministër që thotë po rrisë borxhi se dua të rrisë rritjen ekonomike. Thotë këtë vit është 75% (niveli i borxhit) vitin tjetër do të jetë 85%. 85 është fiks skenar grek.”
“Ftesa ime i madh dhe i vogël, nxënës, student, fermerë… ne duhet ti themi jo kësaj pakete fiskale që ndërton në Shqipëri piramidën më të tmerrshme ndaj shqiptarëve. Nga një piramidë që do na duhen 10-15 vjet për të dalë”, përfundoi Berisha.
Basha: Projektbuxheti i shërben vetëm qeverisë “Rama-Meta”
Partia Demokratike ka reaguar kundër takimit të kryeministrit Rama me qytetarët, ku i shpjegoi në lidhje me ndryshmet në taksat e vendit. Kreu i PD-së Lulzim Basha ka zhvilluar sot takimin e katërt e me grupet e interesit për buxhetin e vitit 2014 dhe paketën fiskale. Në një tryezë të rrumbullakët janë të pranishëm shtresat në nevojë, pensionistët dhe OJF-të.
Basha gjatë fjalës së tij ka hedhur akuza ndaj kryeministrit, i cili mëngjesin e sotëm zhvilloi një takim prej 2 orësh me pensionistët. Sipas Bashës, Rama nuk dëgjoi asnjë mendim prej tyre, por vetëm u foli se si do të rriten taksat. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se projektbuxheti i prezantuar në Parlament, “i shërben qeverisë Rama-Meta”, pasi sipas tij parashikohet ulje e investimeve me 10%, dhe rritje e shpenzimeve qeveritare me 7 miliardë lekë.
“Mund të quhet projektbuxheti i vetëkonsumit, apo i gostisë qeveritare. Kjo jo vetëm nuk mbështet zhvillimin ekonomik, por edhe ato para të cilat shënohen për t’u përdorur për investime jopublike, në fakt përdoren për të rritur konsumin parazitar të qeverisë. Rrit me afro 7 mld lekë buxhetin për shpenzimet qeveritarë, dhe ul me 11 % investimet. Nuk rrit pagat, as pensionet. Ata që jetojnë më paga dhe pensione duhet të paguajnë më shumë për taksat për naftën dhe mallrat e tjera të konsumit”, tha Basha.
“Pretendohet se me heqjen e 10% të barnave do të ndihmohet, por ky 10% shkon tek tregtarët e ilaçeve, dhe përfitimi për pacientët do të jetë zero. Buxheti i arsimit ka një ulje të ndjeshme për universitetet. Për shtresat në nevojë s’ka asnjë shtim. Për të përndjekurit për të cilët u bënë premtimet më të bujshme, në këtë buxhet gjithë kjo tullumbace është katandisur në 1.8 mld lekë. Edhe për pronarët, është ulur fondi me 200 milionë lekë. Ky buxhet ndihmon varfërimin e qytetarëve dhe jo përmirësimin e situatës së tyre. Goditje të madhe me këtë buxhet do të ketë edhe fshati. Për fermerët që u premtua ulje e çmimit të naftës, ndodh e kundërta”, tha Basha.
Berisha: Financat publike të Ramës, si piramidat e ‘97-ës
Gjatë takimit e mori fjalën edhe ish-kryeministri Sali Berisha, i cili hodhi akuza të rënda ndaj kryeministrit të vendit. Sipas Berishës nuk është normale që Rama i premton qytetarëve ulje taksash, por në të vërtetët i ngre ato. Sipas Berishës, kryeministri i vendit ka krijuar në kokë një model një Shqipëri që nuk ekziston.
“Rama ia shton 100 për qind në kurriz shqiptarëve barrën fiskale për të mbrojtur një paketë ligjore që shndërron financat publike të shtetit në një piramidë, njëlloj si piramidat që krijuan gangsterët në ‘97-ën në Shqipëri. Po në qoftë se në ’97-ën financat publike ishin të paprekura nga piramidat, kësaj here piramidat ndërtohet mbi financat publike dhe kjo është shkatërrimtare për ekonominë e vendit. Ju keni dëgjuar këtë kryeministër që Shqipëria po mbytet nga borxhi dhe ne kishim një borxh rreth 60 për qind ndërkohë që investonim në 4 anët e Shqipërisë. Në 8 vite ky borxh ka lëvizur në +- 2 për qind. Dhe çdo vit ne kemi rritur rrogat dhe pensionet. Vendosëm taksën e sheshtë. Çfarë ndodhi? U trefishua numri i bizneseve”, tha Berisha./shekulli/
Friday, 20 December 2013 14:52