Tiranë- Anëtarët demokratë të Komisionit parlamentar të Sigurisë, Flamur Noka dhe Keltis Kruja, të shoqëruar nga deputetët e Korçës, Ridvan Bode e Gjergji Papa, kanë vizituar dje familjarët e dy vëllezërve të vrarë nga policia greke, Melsi dhe Klevis Çollaku, në fshatin Shuec të Korçës.
Zyra e shtypit e PD-së bën të ditur se anëtarët demokratë të Komisionit parlamentar të Sigurisë takuan familjarët e viktimave për të marrë informacion e mbledhur fakte rreth ngjarjes së rëndë, pasi kanë kërkuar një seancë dëgjimore me Ministrin e Brendshëm dhe në lidhje më këtë ngjarje.
Deputetet e Partisë Demokratike kanë dëgjuar pretendimet e të afërmve, dhe argumentet e tyre, pretendojnë se të dy vëllezërit janë viktima të pafajshme dhe nuk kanë lidhje me asnjë aktivitet të paligjshëm.
Sipas PD-së, deputetët kanë konstatuar gjendjen e vështirë ekonomike të familjes së viktimave dhe rrethanat e rënda të jetës, çka e bën edhe më të vështirë të besosh se dy vëllezërit merreshin me trafiqe të paligjshme siç pretendon pala greke.
“Informacionet e mbledhura dhe pretendimet e familjarëve të viktimave, do të përcillen nga deputetët demokratë në seancën dëgjimore në Komisioninparlamentar të Sigurisë, e parashikuar të mbahet në fillim të javës që po vjen. Gjithashtu, deputetët e PD do t’i kërkojnë Ministrit të Brendshëm që të bëjë transparencë lidhur me kontaktet që ka pasur me palën greke dhe rezultatet e këtyre shkëmbimeve përsa i përket zbardhjes së kësaj ngjarjeje të rëndë ku humbën jetën dy qytetarë shqiptarë”, thuhet në njoftimin e PD-së. /albeu/
Sunday, 15 December 2013 12:55