Lajme Shqip Friday, 13 December 2013 13:18

Tiranë- Dyshimet se kokat e padukshme të trafikut të drogës fshihen gjithnjë në nivelet e larta drejtuese të shtetit shqiptar, duket se e kanë një bazë. Drejtori i Policisë së Durrësit, Perlat Çullhaj (nga Gjirokastra), akuzohet se është implikuar drejtpërdrejt në rrjetin e trafikut të drogës, duke mundësuar kalimin e lëndëve narkotike nga Porti i Durrësit, drejt Italisë. Akuza e rëndë dhe tronditëse është artikuluar dje nga ish-ministri i Brendshëm, Flamur Noka, i cili iu referua trafikimit të 1.1 ton drogë e llojit marijuanë drejt Italisë. “Drejtori i Policisë së Durrësit ka ngarkuar 1.1 ton drogë në peshkarexhë dhe e ka çuar 20 milje larg portit. Droga më pas është ngarkuar në anijen që u kap nga Policia  italiane”, tha Noka. Noka reagoi pas bilancit të paraqitur nga Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, sa i takon luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai deklaroi se Drejtori i Policisë së Durrësit, Perlat Çullhaj, është implikuar në kalimin në Portin e Durrësit e 1.1 ton marijuanë, e cila më pas u kap nga autoritetet italiane. Nëse akuza e Flamur Nokës ka një bazë, atëherë skandali kompromenton rëndë imazhin dhe misionin e Policisë së Shtetit dhe reformën e ndërmarrë nga mazhoranca e re, e cila ka deklaruar si prioritet kryesor ndarjen dhe prerjen e lidhjeve të policisë me krimin. Skandali merr një dimension politik, në kushtet kur ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, ka lobuar që Çullhaj të emërohej në krye të Policisë së Durrësit, pasi Ahmetaj dhe Çullhaj kanë lidhje të ngushta. Nuk vihen në dyshim suksesi i deritanishëm i Sajmir Tahirit në krye të Ministrisë së Brendshme, reformat e ndërmarra nga ai dhe kthimi i policisë në shërbim të sigurisë së qytetarëve, por rasti i kalimit të 1.1 ton drogë në Portin e Durrësit e errëson dhe e zbeh besimin tek rrjeti i ri drejtues i Policisë së Shtetit. Tahiri duhet ta kishte denoncuar këtë rast, duke u distancuar prej tij. Gjithashtu, ministri i Brendshëm nuk i dha një përgjigje të qartë dhe shteruese akuzës së paraardhësit të tij.

 

Akuza bombë

 

Flamur Noka deklaroi se implikimi i zyrtarit të policisë në trafikun e drogës, mund të verifikohet lehtësisht. “Ke dalë dhe ju ke çuar letër edhe homologëve europian në lidhje me drogën që ke arritje 50 për qind më shumë se më përpara. Më thuaj sa ishte sasia e drogës që u kap në Greqi? Sa ishte? Të iku? Po në Itali? Ishte 1.1 ton. Si u ngarkua? Jepu llogari shqiptarëve. A e di ti që peshkarexha është ngarkuar nga drejtori i Policisë së Durrësit dhe ka shkuar 20 milje larg portit të Durrësit, ku e priste anija italiane që u kap? Merre dhe kontrolloje në sistem. Ka hyrë anija italiane një natë përpara dhe është ngarkuar 20 milje larg portit nga drejtori i Durrësit. Ja, kjo është lufta që i bën drogës?”, tha Noka. Ai pohoi se policia ka dalë nga binarët e ligjit. “E di pse ndodhin këto? Asnjë prej nesh nuk mund ta fajësojë kurrë policinë. Por faji është këtu lart, sepse kur policinë e nxjerr nga binarët e ligjit, kur policisë i jep detyra të tjera dhe jo ato që i cakton ligji, policia bën ato që i ngarkon dhe për ato që i cakton ligji ngelet. Vrasje dhe aksidente pa fund. Kanë frikë qytetarët të hapin televizorin se është bërë Shqipëria si kandahari. Po kam pranuar krimin e pasionit dhe krimit në familje. Morëm masa ligjore dhe filloi të jepte efekte, por të paktën nuk na ka shkuar në mendje të falsifikojmë. Po fsheh të dhëna”, deklaroi Noka.

 

Siguria

 

Tahiri dhe Noka kanë debatuar dje në Kuvend për sigurinë. “Z. ministër! Në lagjen tënde nuk po vë dot rend. Brenda një jave janë vjedhur dy shtëpi në lagjen tënde komshi me ty, një makinë tek pallati jot dhe po një biznesmen tek pallati ngjitur me atë tëndin. Ndjesë pastë t’u vra shoku yt dhe nuk guxon ose je i paaftë dhe s’di ta zbardhësh. Çfarë rendi dhe qetësie do t’i ofrosh ti shqiptarëve kur nuk i ofrove shokut tënd, pallatit tënd dhe lagjes tënde?”, Noka.  

 

1 ton drogë nga Shqipëria në Itali

 

Disa ditë më parë, Policia italiane sekuestroi 1 ton drogë të ardhur nga Shqipëria, si dhe vuri në pranga dy skafistët shqiptarë. Policia italiane bëri të ditur se, operacioni është kryer në zonën e Meledugno, në skajin jugor të Puglias. Dy skafistët shqiptarë u kapën pas një operacioni, që angazhoi mjete detare dhe ajrore, si dhe patrulla këmbësorësh në breg. Duke përfituar nga errësira dhe kushtet e motit, skafistët udhëtonin pa drita dhe kanë kryer disa manovra për t’u afruar në breg, por u ndaluan nga rojet financiare që në det. Sipas policisë italiane, në gomone u gjetën 370 kg lëndë narkotike, ndërsa gjatë ditës, nga ujërat përreth vendit të ngjarjes, u nxorën edhe pako të tjera, me një peshë prej 610 kilogramësh. Nuk dihet nëse marijuana e gjetur në det ishte pjesë e së njëjtës ngarkesë, apo ishte hedhur nga ndonjë mjet tjetër lundrues, që nuk është kapur dot. Gjithsesi, policia italiane dyshoi se, lënda narkotike i përkiste të njëjtës ngarkese nga Shqipëria.

 

Trafiku i drogës drejt Greqisë

 

Pas sekuestrimit të 1 ton droge në Itali, antidroga greke ka sekuestruar plot 1.4 ton kanabis që, sipas policisë greke ka ardhur nga Shqipëria. Në njoftimin për shtyp, policia greke e cilësoi operacionin antidrogë mjaft të suksesshëm, pasi droga është lejuar të futet lirisht në tokën helene. Policia bëri të ditur gjatë konferencës së posaçme për shtyp, se gjatë operacionit antidrogë ka vënë në pranga dy persona, një shtetas grek 45 vjeç dhe një 43-vjeçar nga Shqipëria. Po ashtu, sipas policisë greke janë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë, një shtetas grek dhe një shqiptar. Sipas policisë greke, droga ishte ngarkuar në vendin e quajtur Kalpaq në kufirin shqiptaro-grek dhe në vazhdim do të dërgohej në bordin e një furgoni, në Athinë. Për të siguruar që policia nuk do të ndalonte furgonin, atë e shoqëronin dy anëtarë të organizatës së trafikut të drogës me veturat e tyre, të cilat u sekuestruan prej agjentëve. Aksioni i policisë greke u krye në vendin e quajtur Nafpakto, pak kilometra larg Patras.

 

PD: Çullhaj, i lidhur me banda kriminale

Partia Demokratike, ka deklaruar disa ditë më parë se emërimi Perlat Çullhaj në krye të Policisë së Durrësit, është bërë në kundërshtim me ligjin “Për Policinë e Shtetit”, pasi ripranimi i tyre është në kundërshtim me nenin 58 të ligjit “Për Policinë e Shtetit”. Sipas PD, Perlat Çullhaj ka lidhje me organizatat kriminale dhe me persona të inkriminuar.  “Perlat Çullhaj, i shkarkuar nga detyra në vitin 2009, për shkelje të rënda të ligjit, në ushtrimin e detyrës, dhe i hetuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, pas të dhënave të shërbimeve partnere të huaja dhe Shërbimit Informativ Shqiptar, për lidhje me organizata kriminale, persona të inkriminuar dhe veprën penale të pastrimit të parave”, ka deklaruar Arben Ristani./Sot news/