Lajme Shqip Thursday, 12 December 2013 13:10

Tiranë- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi deklaroi ditën e djeshme se policia është duke hartuar një plan për të ndërhyrë në Lazarat. I pyetur mbi një datë të caktuar se kur mund të ndërmerret ndonjë operacion policor brenda në Lazarat, Didi nuk dha një datë fikse.

“Në këtë sfond, Lazarati është i përmendur dhe i trajtuar nga policia. Ne jemi duke bërë plane, të cilat janë në zhvillim e sipër. Po marrim masa për të kufizuar trafikun e lëndëve narkotike që vijnë nga Lazarati, ndërsa më pas do të shqyrtojmë hapat e mëtejshme”, tha ai. Këtë e deklaratë, numri një i policisë e dha pas takimit me drejtorin e përgjithshëm të policisë italiane, Alessaandro Pansa-n, në kuadër të nisjes së programit PMECA 4.

Të pranishëm ishin edhe ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, si edhe ambasadori i BE-së, Ettore Sequi. Ky i fundit shprehu vullnetin e BE-së për të ndihmuar policinë shqiptarë në luftën kundër drogës. “Bashkimi Europian do të bëjë gjithçka për të mbështetur policinë në luftën kundër krimit dhe trafiqeve”, tha Sequi, raporton Shekulli. 

Nga ana e tij, ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri theksoi se në këto pak muaj punë, institucioni që ai drejton ka qenë në gjendje të tregojë shenja të qarta të vullnetit për të bërë gjithçka në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. “Kjo është mbi të gjitha një përmbushje e aspiratës së qytetarëve shqiptarë për të qenë të lirë nga frika nga dhuna, qoftë nga krimi i organizuar apo rimi i rrugës”, u shpreh Tahiri