Policia greke i akuzon 2 vëllezërit e vrarë në kufi si autorë të dyshuar të disa grabitjeve në fshatrat kufitare, teksa gjykata e Apelit në Janinë dënoi me 25 vjet burg një 30-vjeçar shqiptar që vrau çiftin e moshuar, në tentativë për t’ua grabitur shtëpinë. Më konkretisht, nga hetimet e palës helene, ka rezultuar se mbi njërin nga vëllezërit Çollaku, përveç akuzës së vjedhjeve, rëndojnë edhe ato të kontrabandimit të emigrantëve në Athinë. Madje, pala greke pretendon se ose Melsi ose Klelvis (30 e 34 vjeç) ishte skeduar nga policia shqiptare, për trafik njerëzor.
Ndërkaq, grekët nuk ngurrojnë të thonë se 2 vëllezërit e përfshirë në incidentin e përgjakshëm në orët e para të së dielës në Vrondero të Follorinës, në Prespë, ku u vra edhe oficeri grek 43-vjeçar Elia Kosteni, ishin depërtuar nga Greqia, por duket se kanë hyrë në mënyrë të paligjshme. Tashmë, prokuroria greke nuk e lidh këtë ngjarje me peshkimin, siç u vlerësua në fillim, por me trafikun e drogës e të emigrantëve të paligjshëm. Ndërkaq, oficerët shtesë që shqyrtojnë çështjen thanë se dy shqiptarët ishin autorët e grabitjeve të shtëpive, ngjarje këto që kishin ndodhur muajt e fundit në fshatrat e Follorinës, shkruan shekulli.
Vrasësi i të moshuarve
Me 25 vjet burg u dënua dje 30-vjeçari shqiptar që vrau ciftin e moshuar më 12 maj 2012. Gjykata e Apelit të Janinës, e përbërë nga 3 anëtarë, e dënoi shqiptarin si vrasësin e një çifti të moshuar në ndërtesat e fshatit kufitar Pogoniou. Shqiptari kishte “pushtuar” kafen e fshatit dhe me granatë në dorë donte t’u merrte paratë klientëve. Duke iku hodhi një granatë, që për fat të mirë nuk lëndoi askënd. Më pas hyri në shtëpinë e një gruaje dhe i mori celularin, por më pas gjeti ciftin e moshuar, një grua 72-vjeçare dhe burri 73 vjeç, të cilët i kishte vrarë me gjakftohtësi brenda në shtëpinë e tyre, duke u marrë çelësat e makinave. Dje në gjyq 30-vjeçari i pranoi të gjitha veprimet e tij dhe tha se qëllimi ishte të shkonte në Korinth, për të vrarë një oficer burgu, për pazare droge.
Thursday, 12 December 2013 11:37