Lajme Shqip Tuesday, 10 December 2013 11:34

 

Nëse vizitoni varrezat e të krishterëve në një fshat të Pejës, do ta gjeni edhe varrin e një personi të njohur në Kosovë e më gjerë.

 

Në varrin e tij është e gdhendur fotografia, emri, data e lindjes. Pas vizës, mungon data e vdekjes, kjo sepse ai nuk ka vdekur. Është ende i gjallë.

 

Teksa shikon varrin e vet, akademiku Mark Krasniqi thotë se po ndihet shumë mirë, madje edhe i kënaqur sepse e di ku do ta kalojë jetën përgjithmonë, shkruan “Tribuna”.

 

“Kësaj i thonë me ia bë varrin vetës. Rahmet i pastë shpirti”, thotë ai me të qeshur. Vdekja për të, është diçka normale dhe sipas tij, njeriu që në lindje është i dënuar të vdesë. Para 30 viteve, në fshatin e lindjes, në Gllaviçicë (Shëngjon-Kokaj) afër Pejës, Krasniqi kishte vendosur që t’ia ndërtojë varrin vetes.

 

“Ne shqiptarët, sa jemi gjallë këqyrim sa më parë më bë një kulm mbi vete, për familje. Shtëpia është kryesore te shqiptari, madje e zbukuron atë, në qoftë se nuk mundet të bëjë asgjë, e ndërton derën e madhe që njerëzit me mendua se edhe ata që jetojnë brenda janë të mëdhenj. Mirëpo nuk interesohen me ndërtua shtëpinë, ku kanë me jetua përgjithmonë. Unë e kam një mendim tjetër”, shprehet akademiku Mark Krasniqi.