Lajme Shqip Sunday, 08 December 2013 15:58

Tiranë- Lëvizja Studentore Shqiptare 90-91 ka zhviluar sot një aktivitet me rastin e 23 vjetorit të ndryshimit pluralist. Në aktivitetmori pjesë edhe kryeministri Edi Rama.  Ai vlerësoi edhe një herë rëndësinë e lëvizjes së dhjetorit dhe deklaroi se nëse Europa në atë kohë ishte më tepër prodhim I imagjinatës Shqipëria sot është gjithnjë e më pranë Europës.

“Me siguri 23 vjet janë një fjalë goje por janë edhe një pjesë jete. Shumë shpresa shumë dëshira shumë përpjekje shumë përplasje por edhe jo pak rigjetje si kjo e sotmja. Këto 23 vjet janë edhe shumë ëndrra, ëndrra e atij dhjetori “E duam Shqipërinë si gjithë Europa dhe “Liri demokraci”, sot e gjithë ditën mbeten sfida për të gjithë ne. Është forca e atyre ëndrrave që e sjell Shqipërinë gjithmonë e më pranë Europës. Një Shqipëri shumë më ndryshe ato ditë ku të gjithë e jetonim ëndrrën si të ishte një realitet. Evropën asokohe nuk mund ta kishim asgjë tjetër veçse prodhim të imagjinatës.”- deklaroi Rama 

Ai theksoi se lëvizja e dhjetorit qëndron si një dinamikë unikale për shoqërinë shqiptare. 
“Sado e madhe apo e vogël është bërë ajo në ëndrrën e duam Shqipërinë si gjithë Evropa, lëvizje e dhjetorit qëndron si dinamikë unikale për shoqërinë shqiptare, si ajo lëvizje që fali një forcë si mjet ndryshimi e transformimi, se mundesh pikërisht kur mendon se të mundën. Lëvizja e Dhjetorit është forca e atyre ëndërrave që e sjellin Shqipërinë gjithmonë e më pranë Europës, shumë më ndryshe nga ato ditë që të gjithë ne që ishin këtu e jetonim ëndërrën si një realitet. Sot dhe për çdo dhjetor t`i kthehemi pas atij dhjetori që të shohim se ku jemi se kush më shumë e kush më pak kemi qenë protagonistë dhe të japim llogari. Ne mund t`i kërkojmë llogari vetes për sa u bëmë bashkë për të përmbushuar atë ëndërr”- u shpreh kryeministri Rama. 

Rama kujtoi se edhe në këtë muaj dhjetor pas 23 vitesh Shqipëria ka ende ëndërrën europiane. 
“Lëvizja e dhjetorit e jetoi të tashmen me forcën që përkuli të gjithë kufinjtë, tejkaloi kufijntë e të shkuarës. Një ëndërr që mori forcë nga bashkimi dhe i bashkoi të gjithë. Kjo është një ëndërr që edhe sot na jep fuqi për të ecur para. Edhe në këtë dhjetor kemi ende ëndërrën e Shqipërisë europiane. Por jo vetëm për ta bërë Shqipërinë si e gjithë Europa, por për tu bërë europianë, për të ndërtuar një model të suksesshëm, për ta bërë Shqipërinë pjesë të lëvizjeve të ndryshme. Falë asaj lëvizjeje, sot shqiptarët e kanë Europën pjesë të përditshmes së tyre. Mbetet ende legjitime krenaria për atë dhjetor. Përpjekjet dhe kërkesat e asaj lëvizjeje janë dhe mbeten gjithmonë burim i një jehone të fuqishme për të vënë në lëvizje transformime të shoqërisë tonë” – tha kryeministri. 

Në fund të fjalës së tij kryeministri Rama duke shkëmbyer batuta me deputeten Mesila Doda e cila gjithashtu ishte e pranishme në aktivitet u shpreh se megjithëse ai dhe deputetja Doda ecin në korsi të ndryshme PD-PS , ata janë pjesë e të njëjtës rrugë.
 
“Ne me Mesilen kemi qene gjithnje ne nje mendje per Enverin e vdekur, aty ku jemi ndarë gjithë këto vite ështe te Enveri i gjallë, por me siguri 23 vjet janë një fjalë gojë por edhe një shpresë jetë, shumë shpresa, përplasje, ndarje, por edhe pa rigjetje si kjo e sotmja. Ju faleminderit që krijuat një mundësi shumë të veçantë për të pasur në podium dy protagonistë që janë nisur nga e njëjta korsi dhe sot janë në të njëjtën rrugë edhe pse janë në dy korsi të ndryshme unë majtas ndërsa Mesila djathtas. Por ju na dhatë mundësinë të dëshmojë se, kur dy korsitë janë pjesë e një rrugë dhe gara bëhet kusht ecën më shpejt në korsinë e vet e jo kush i bllokon korsinë tjetrit gjithmonë ka më shumë se një arsye për të shpresuar, jetuar dhe bindjen se në të gjitha rastet, pikërisht ekzistenca e një korsie tjetër bënë që gjërat të shkojnë më mirë në rrugën tonë të përbashkët” – deklaroi Rama./bw/