Beograd- Kryeministri i Serbisë Ivica Daçiq gjatë negociatave brukseliane e ka marrë mikrofonin dhe ka kënduar me qëllimin që BE të zbuste qëndrimin ndaj Serbisë dhe kërkesave të BE –së për Kosovën, shkruan gazeta “Blic” dhe thekson se Daçiq i këndoi ndërmjetëses kryesore në bisedime Catherine Ashton.
“Më fal Katerin, mbase s’isha dhe aq fin, çdo gjë tani është vetëm tym, edhe pse të pata dashuri, asnjë gjurmë s‘mbeti aty”, i ka kënduar Daçiq baroneshës Ashton në një restorant në Beograd gjatë vizitës së saj të fundit në Serbi.
Mbrëmja ishte pak a shumë zyrtare, por siç shkruajnë medie serbe, Daçiq pastaj e mori situatën në duar.
“Menjëherë e kuptoi se kënga i drejtohej asaj e kur u përkthye teksti, Ashton u mrekullua. Pastaj atmosfera u relaksua tërësisht”, thotë burimi i kësaj gazete.
Pas një viti negociatash, gjykuar sipas komunikimit në konferenca shtypi, por edhe nga ato që rrjedhin prapa dyerve të mbyllura në Bruksel, Daçiq e Aston kanë ndërtuar raporte korrekte. /koha/
Saturday, 07 December 2013 13:17