Lajme Shqip Thursday, 05 December 2013 20:39

Tiranë- Djali i ish- kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzeni, ka reaguar pas deklaratave në Kuvend të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, që theksoi se brezi i ri e kanë shembull negativ atë, pasi vrau njerëz në Gërdec dhe nuk i hyri gjemb në këmbë.

“Në kushtet e impotencës morale për të dhënë dorëheqjen dhe shterpësisë profesionale e politike për të dhënë garanci, që ngjarje të tilla si ekzekutimi i një gjimnazisti të ulur në bankën e shkollës apo pas thyerjes së burgut të sigurisë së lartë në Drenovë, ky ministër e pa të udhës që prindërve, të afërmve të të ndjerit dhe mbarë opinionit t’u thotë se fajin për këtë e ka Shkëlzeni.

Në kushtet kur zhvillohet ky debat më duket e tepërt të them, se ky ministër jo vetëm është i dënuar me vendim të formës së prerë nga gjykata për shpifjen që përsëriti sot në parlament, por si një bandit me imunitet, sfidon çdo ditë shtetin ligjor duke mos paguar detyrimin që rrjedh nga vendimi i gjykatës për gënjeshtrën e tij.

Duhet t’i kujtoj ministrit burracak që e siguron veten me eskortë dhe badiguardë, ndërkohë që nxënësit vriten ditën në diell, se ndoshta shpifjet e ndihmuan për të mashtruar njerëzit në 23 qershor, por ato nuk vlejnë, për të parandaluar apo justifikuar vrasjet, grabitjet, thyerjet e burgjeve apo ekzekutimet mafioze në mes të Tiranës.

Nëse dështimin tënd, kërkon medoemos ta fshehësh apo justifikosh pas atyre që kanë vrarë e plagosur dhe nuk u ka hyrë gjemb në këmbë, këtë do e gjesh të faktuar pa pasur nevojë të shpifësh tek fëmijët e Gramoz Ruçit, Arta Dades dhe kolegëve të tjerë në parlament,” thuhet në deklaratën e Shkëlzenit, raporton tema.