Lajme Shqip Tuesday, 03 December 2013 16:16

Shqiptari më i njohur në Australinë e largët, Afrim Alia i njohur si Alessio në 20 vitet e tij karrierë si model, na rrëfen për eksperiencën e tij si organizator i festave private të këngëtareve më të preferuar të momentit në botë, pas koncerteve që ato japin në Australi dhe Evropë. Këtë vjeshtë ai ka organizuar festa private me Beyoncen, Rihannën dhe grupin “One Direction”. Duke e lënë pak mënjanë profesionin e modelit, Alessio tregon për pikat e dobëta dhe të forta të dy vajzave më të përfolura të momentit në jetën e tyre jashtë skenës, Beyonce dhe Rihanna:

 

Pas muajve të verës që kalove në Shqipëri, sërish u riktheve në Australi. Me çfarë je marrë atje këtë vjeshtë?

 

Kam  qenë shumë i zënë me koncertet, që kanë dhënë në Australi, Rihanna, Beyonce dhe “One Direction” në ndalesat e tyre të tureve botërore. Ka disa ditë që kam mbaruar turin me ta, tani do bëj disa javë pushim dhe sërish rikthehem në Shqipëri.

 

Merresh me organizimin e festave private që organizojnë këngëtarët e njohur botërorë pas koncerteve. Sa të shfrenuar janë këta artistë në këtë ambiente?

 

Unë organizoj çdo “after party” që vendosin të bëjnë shumë këngëtarë që vijnë në Melbourne për turet e tyre koncertore. Sapo kam organizuar after party të Rihannës, të Beyonces dhe të “One direction”, plus dhe të tjera “party” të emrave të tjerë artistësh dhe DJ të famshëm që vijnë në Australi. Natyrisht që qëllimi i këtyre festave është që ata të shlodhen pas koncerteve, të argëtohen pa asnjë lloj kufizimi, dhe në gjithë këtë të ketë një besueshmëri ndaj meje. Natyrisht që shoh shumë tek sjelljet e tyre, por kontratat me ta nuk më lejojnë të zbuloj shumë.  

 

Në ndalesën e saj në Australi, Rihanha u prit me vërshëllima nga publiku pasi u paraqit në koncert tre orë me vonesë. Duke e parë në paskuinta mund të tregosh për arsyet e kësaj papërgjeshmërie të saj, siç është cilësuar?

 

Në Australi Rihanna qëndroi për katër javë dhe ishte vetëm, pra e pashoqëruar nga ndonjë mashkull. Në koncerte ajo nuk këndon dot live, pra nuk është një performuese e mirë “live”, dhe është person që ka shumë e shumë probleme, dhe kjo është dhe arsyeja e vonesave të saj në koncerte. Në “after party” mbyllej në tualet për 30 minuta dhe qëndronte vetëm, e natyrisht që ishte duke marrë dozën e saj.(qesh) Dhe ajo çfarë bën përshtypje tek sjellja e Rihannës është se nuk është shumë e dashur si person, ose më mirë të themi shumë e ftohtë si tip. Unë e kam njohur personalisht Rihannën para se të bëhej e famshme, që kur fliste anglisht me theks xhamajkan. Mund të them se ka qenë ndryshe dhe një person shumë i mirë, por fama e ka tjetërsuar.

 

Nga ana tjetër Beyonce? Çfarë impakti të lë nga afër?

 

Beyonce? She is the best! (Ajo është më e mira!)Respekton dhe e respektojnë të gjithë dhe është e pakrahasueshme kur këndon “live”. Është një diva e vërtetë. Në Australi kishte vajzën e  vogël me vete, dhe J Zee erdhi po ashtu për të kaluar kohë me to.

 

Po djemtë e “One Direction”, janë ata që bëjnë përshtypje gjithmonë?

 

Sigurisht. “One Direction” i shkatërrojnë koncertet, dhe kanë bërë plot tetë javë koncerte në Australi.

 

Në komunikimin me këta artistë ndesh vështirësi, çfarë tipash janë?

Aktualisht tani po komunikoj me Justin Biber, pasi do merrem me organizimin e “after party” të tij në Dhjetor në Australi. Një nga kushtet kryesore në kontratat që kam me të gjithë artistët për organizimin e festave private të tyre, është të mos shkrepet asnjë foto, pasi preferojnë të shijojnë lirshmërinë e tyre me pije dhe argëtim. Realisht janë persona shumë të çuditshëm, dhe të gjithë si Rihanna, Beyonce apo “One Direction” kërkonin me ngulm një vend të sigurt, dhe që nuk do i shqetësonte askush në after party, duke e konsideruar momentin ideal të të qenit vetvetja. (Panorama)