Lajme Shqip Sunday, 24 November 2013 18:25

Tiranë- Ministri i Drejtësisë, Nasip Naço, mesditën e sotme ka bërë një mbledhje urgjente me drejtuesit e burgjeve. 

Para mbledhjes ministri Naço ka dhënë një deklaratë për mediat, ku ka bërë një analizë të ngjarjes së djeshme, të ndodhur në burgun e sigurisë së lartë, në Drenovë. 

Naço tha se personat e arratisur janë ndihmuar nga persona të jashtëm dhe se e kanë planifikuar arratisjen disa muaj më parë. Po ashtu Naço tha se të dënuarit, në mënyrë ilegale, kanë futur mjete të forta me të cilat kanë kërcënuar edhe rojet e sigurisë, duke konfirmuar kështu deklaratën e bërë nga rojet e burgut, mëngjesin e sotëm, të cilët thanë se ishin kërcënuar me armë zjarri. 

Ministri i Drejtësisë tha se ngjarja e djeshme tregon se sistemi i burgjeve në vend është një sistem i kalbur, i cili duhet të reformohet në mënyrë të menjëhershme.

Ministri i Drejtësisë deklaroi se janë pushuar nga puna dhe janë arrestuar të gjithë punonjësit e turnit, si dhe janë pezulluar punonjësit e lartë të sistemit të brendshëm. 

Naço bëri me dije se është pezulluar nga puna Genci Postoli, drejtor i burgut të sigurisë së lartë në Drenovë, pikërisht aty ku ndodhi dhe arratisja spektakolare e shtatë të dënuarve. 

“Ngjarja e djeshme dëshmon qartë se sistemi i burgjeve në Shqipëri është një sistem i kalbur, i cili kërkon një reformim të menjëhershëm. Do të vëmë para ligjit të gjithë punonjësit e çdo niveli, të cilët lejojnë ngjarje si ato të djeshmet”, -deklaroi ministri Naço, raporton shekulli.

Pas deklaratës mbledhja ka vazhduar me dyer të mbyllura, pa praninë e medias.

Mësohet se gjatë mbledhjes, Naço i ka kërkuar në mënyrë ultimatume drejtorëve të burgjeve që të fillojnë kontrollin e imtësishëm për çdo send e material, kryesisht për celularë apo armë.

Po ashtu, ministri i Drejtësisë u ka kërkuar një verifikim të imtësishëm lejeve të burgosurve. Mësohet se do të ndryshojë skema e lejeve që u jepen të burgosurve. Tashmë lejet duhet të jepen nga drejtori i burgut, më pas të verifikohen nga drejtori i përgjithshëm i burgjeve, ku ky i fundit duhet të raportojë tek ministri i Drejtësisë. 

Ka filluar një kontroll i imtësishtëm në Librazhd dhe Përrrenjas sepse mendohet se mund të jenë fshehur nëpër tunele.