Korçë- (E plotësuar) Policia e Korçës dha detaje për kërkimet ndaj dy prej të arratisurve të burgut të Drenovës. Bëhet fjalë për Reiz Haxhirajn dhe Eduard Lulon.
Policia thotë se vazhdojnë kërkimet për kapjen e tyre në fshatrat Treskë, Grabockë, Shtikë dhe Luras. Gjithashtu, policia konfirmon kërkime edhe në pikën kufitare me Greqinë.
Kërkime ka edhe në Dardhës, Arëz dhe Malin e Gramozit. Gjithashtu, po kërkohet edhe në shtëpitë e braktisura të kësaj zone. Më herët, policia tha se dy prej të arratisurve ishin nisur drejt Ersekës. Forca të shumta të policisë kanë rrethuar zonën dhe po vazhdojnë kërkimet për gjetjen e tyre.
13:00-Kapen 3 nga të arratisurit e burgut të Drenovës
Tre nga të arratisurit e burgut të Drenovës, Admir Tafilin, Gëzim Toma dhe Fran Marashi u arrestuan para pak minutash në një magazinë në qytetin e Përrenjasit.
Gjashtë të burgosurit që u arratisën mbrëmë nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë u dyshuan se ishin fshehur në një magazinë të vjetër në Përrenjas.
Banorët e zonës kanë dëgjuar të shtëna më armë zjarri në një magazinë afër banesave të tyre dhe kanë njoftur menjëherë policinë.
Forca të shumta policie si dhe grupe të Ndërhyrjes së Shpejtë kanë rrethuar brenda pak minutash magazinën pranë ish-stacionit hekurudhor në Përrenjas dhe arritën të kapnin tre nga të arratisurit.
Mbeten ende në arratisje të dënuarit: Gëzim Gjergj Guri, Reiz Namik Haxhiraj dhe Eduard Kujtim Lula. I arratisuri i shtatë, Artur Gora u kap dy orë pas arratisjes, ndërsa deklaroi në komisariat se nuk ka pasur të bënte me planin e arratisjes dhe se nuk dinte asnjë detaj të planit, por thjeshtë ka përfituar të largohej në momentin kur janë arratisur gjashtë personat e tjerë.
Rojet e burgut: Të arratisurit mbanin 4 pistoleta në qeli
“Katër pistoleta janë futur nga jashtë burgut të Drenovës dhe janë fshehur në qelinë e të burgosurit Admir Tafili”. Kështu kanë deklaruar rojet e burgut në dëshminë e tyre para grupit hetimor. Të shoqëruar që në momentin që ndodhi arratisja spektakolare e shtatë të burgosurve, rojet kanë treguar se Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Guri dhe Gëzim Toma kishin 4 pistoleta dhe se ato kanë hyrë nga jashtë e janë mbajtur të fshehura në qelinë e Tafilit.
Më tej gardianët e burgut të sigurisë së lartë në Drenovë treguan se të burgosurit i kërcënuan me armë duke i detyruar të hapnin dyert e burgut.
Të shoqëruarit po mbahen ende në dhomat e paraburgimit, derisa grupi i hetimit të mësojë gjithë mekanizimin e arratisjes dhe të gjejë bashkëpunëtorët në këtë ngjarje./shekulli/
Sunday, 24 November 2013 13:36