Lajme Shqip Saturday, 16 November 2013 12:33

Tiranë- Denion Meidani, djali i ish-Presidentit Rexhep Meidani, ka depozituar një kërkesëpadi në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë për të kundërshtuar vendimin që e largoi nga detyra e tij funksionale te Doganat.

Sipas gazetës Panorama, në padinë e regjistruar në Gjykatë, më 13 nëntor 2013, si palë e paditur është Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Burime zyrtare të Gjykatës konfirmuan se objekti i padisë ishte “konstatim i pavlefshmërisë absolute” të urdhrit të pezullimit të tij. Shorti manual i Gjykatës ka përzgjedhur gjyqtarin Gentian Hamiti si kryesues në këtë proces gjyqësor. Shqyrtimi i padisë pritet të nisë në ditët në vijim.

Denion Meidani u pezullua nga detyra e kreut të Antikontrabandës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave me urdhër të drejtoreshës Spiropali, më 14 tetor të këtij viti, dy muaj pasi kishte marrë atë detyrë. Pak ditë para këtij vendimi, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ndërmori një aksion, të nisur nga Meidani, në përfundim të të cilit u vendos një gjobë me 1.4 milionë euro ndaj kompanisë “Kurum” për fshehje të TVSH-së së hekurit me vlerë 450 mijë euro.