Lajme Shqip Monday, 22 July 2013 16:40

Prishtinë – Ljubjana dhe Zagrebi zyrtar ftojnë presidentët e Kosovës dhe Serbisë që të marrin pjesë në samitin e Procesit të Bërdos, në Slloveni.
Me nismë të presidentëve Borut Pahor dhe Ivo Josipoviq, presidentja e Republikës Atifete Jahjaga dhe ai i Serbisë Tomisllav Nikoliq, pritet të marrin pjesë të enjten në këtë konferencë, e cila mbledh tetë presidentë të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Lajmin e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë edhe shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës, Arbër Vllahiu.
“Me ftesë të presidentëve të Sllovenisë [Borut] Pahor dhe të Kroacisë [Ivo] Josipoviq, presidentja Jahjaga do të marrë pjesë në takimin e presidentëve të vendeve të rajonit të Ballkanit, i cili do të mbahet në Bërdo të Sllovenisë”, i tha Vllahiu Radios Evropa e Lirë.
Në takimin e 25 korrikut praninë e tij e ka konfirmuar edhe presidenti i Francës François Hollande, i cili do t’iu drejtohet të pranishmëve me një fjalim.
Presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, shihen si promoter të zgjerimit të mëtejmë të Bashkimit Evropian dhe të raporteve të mira ndërfqinjësore në rajon.
Konferenca e Bërdos në Kranj, shihet si një forum i nivelit të lartë që do të forcojë bashkëpunimin ndërshtetëror mes vendeve të rajonit, e që është edhe kriter bazë për integrimin evropian të këtyre shteteve.
“Presidentja [Atifete Jahjaga], si edhe të gjithë presidentët e tjerë pjesëmarrës në takim do të mbajë një fjalë rasti, në takimin e inicuar nga presidenti sloven dhe ai kroat, si nismë për të ndihmuar integrimin e ballkanit perëndimor në Bashkimin Evropian”, tha të hënën për Radion Evropa e Lirë, shefi i kabinetit të presidentes së Kosovës Arbër Vllahiu.
Radio Evropa e Lire merr vesh se në takim, përveç presdientit francez Hollande, ka mundësi të marrë pjesë edhe Perfaqesuesja e Lartë e BE-së për politikë të jashtme e siguri Catherine Ashton.