Tiranë- Ekzekutimi i Edmond Dervishit nga persona të panjohur mbrëmjen e së dielës në hyrje të pallatit të tij, ka bërë që policia të ngrejë disa pista hetimi.
Dervishi, që punonte pranë KQZ-së, dyshohet se mund të jetë ekzekutuar nga vrasës me pagesë.
Por e përditshmja Panorama thotë se pista më e fortë lidhet me një hakmarrje të mundshme mes bandave të vjetra në Tiranë të Gaz Muçës dhe Franc Konomit.
Verifikimet e para që ka kryer Policia në arkivat e krimeve të vjetra, kanë çuar hetuesit në zinxhirin e hakmarrjes mes grupeve rivale të Gaz Muçës dhe Naim Zyberit, ndodhur në Tiranë dy dekadat e fundit. Një nga dosjet e hapura mbrëmë nga policia është edhe vrasja e Franc Konomit, personazh me të cilin dy vëllezërit, Gentian e Edmond Dervishi, kanë pasur miqësi,shkruan tema.
Në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme, Policia tha se dyshohet të jetë paralajmërimi i një hakmarrjeje të mundshme.
Sipas disa të dhënave, 50-vjeçari kishte nisur të hetonte në mënyrë private për të zbuluar autorët që i vranë të vëllain 13 vjet më parë, pasi ngjarja ishte ende pa autor.
Edhe pse Policia ka pasur dyshime, asnjëherë nuk ka arritur të sigurojë prova për arrestimin e vrasësve të Gentian Dervishit. Vrasja e Edmond Dervishit, pikërisht në këtë moment, sipas Policisë tregon se vrasësit e vëllait mund të kenë kuptuar “hetimet” e tij dhe kanë vendosur ta eliminojnë për të parandaluar një sulm të mundshëm
Monday, 15 July 2013 11:00