Tiranë- Zbulohet struktura e re e kabinetit qeveritar. Socialistët dhe aleatët e saj të LSI-së duket se kanë vendosur që të ndryshojnë strukturën e qeverisë, bazuar edhe në prioritetet e programit të tyre, të bërë publik edhe gjatë fushatës së zgjedhjeve. Burimet nga partitë e koalicionit Aleanca për Shqipërinë Evropiane bënë të ditur dje, se 4 janë ministritë që do të ndahen, për të krijuar “bijëza” të tyret. Kështu Ministria e Punëve Publike dhe Transportit pritet të ndahet në Ministrinë e Transporteve, e cila thuhet se do t’i lihet LSI-së. Mendohet se do të drejtohet nga Ylli Manjani. Prej ministrisë së vjetër do të dalë edhe një tjetër ministri, ajo e Zhvillimit Rural, shkruan BW.
Meqenëse PS i ka kushtuar një rëndësi shumë të madhe fshatit dhe zhvillimit të tij, ka menduar që kjo të ketë një dikaster përgjegjës. Ministria e Brendshme do të ndahet sërish si para vitit 2005, në kohën kur qeveria drejtohej nga socialistët. Veç Ministrisë e Rendit, e cila deri më tani thuhet se do t’i besohet Saimir Tahirit, do të jetë ajo e Pushtetit Vendor, dikaster që në kohën e socialistëve është drejtuar nga Bashkim Fino, Ben Blushi, ndërsa tashmë ende nuk përflitet një emër i saktë. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës do të ndahet gjithashtu në dy pjesë, në Ministrinë e Ekonomisë dhe Tregtisë dhe në Ministrinë e Energjetikës. Për të parën flitet se do të jetë Mimi Kodheli që do ta drejtojë, nëse ajo pranon të heqë dorë nga mandati i deputetes.
Wednesday, 03 July 2013 09:54