Tiranë – Deputeti demokrat, Edi Paloka është zëri i parë nga e djathta që deklaron se zgjedhjet e 23 qershorit nuk ishin të ndershme dhe të rregullta. Sipas Palokës, ato u mbajtën përmes pazareve korruptive, ku miliona euro u hodhën për të blerë votat e shqiptarëve.
“Zgjedhjet, pavarësisht se është thënë deri më sot që ishin zgjedhje të ndershme, të mira, etj etj. Mendimi im nuk është i tillë. Mjafton të përmend faktin që janë hedhur miliona euro, që u janë vjedhur shqiptarëve dhe këtë herë janë hedhur për të blerë votat e shqiptarëve.”- u shpreh Paloka, raporton BW.
Ndërsa deklaron se nuk do të kandidojë për kreun e selisë blu, pasi të zëvendësosh Sali Berishën është peshë e madhe, Paloka thotë se përgjegjësia për humbjen, bie më së shumti mbi ata zyrtarë që mbanin poste në Partinë Demokratike.
“Partia Demokratike ka përgjegjësinë e saj. Zoti Berisha doli i pari dhe deklaroi se si kryetar i PD-së ai ka përgjegjësinë kryesore, mbajti pozicionin e tij. Por sigurisht ka dhe të tjerë që mbajnë përgjegjësi më tepër se sa anëtarët e thjeshtë apo ata që nuk kanë pasur, le të themi, funksione apo poste në PD.”- tha Paloka.
Lidhur me kandidimin e Aleksander Biberaj për kreun e PD-së, Paloka thotë: “Unë nuk kam ndonjë gjë direkte me zotin Biberaj, por ne po flasim për kryetarin e Partisë Demokratike, jo për kryetar të partive të tjera.”
Tuesday, 02 July 2013 19:39