Tiranë – Tony Blair pritet të punësohet si këshilltar i qeverisë së re shqiptare, pas fitores së opozitës në zgjedhjet e së dielës.
Ish-kryeministri britanik dhe ish-lideri i Partisë Laburiste angleze Tony Blair lidhi një marrëveshje në muajin maj me drejtuesin e Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Ramën për ta këshilluar Shqipërinë në fushat e tërheqjes së investimeve, promovimit të turizmit dhe nxitjes së integrimit të vendit në BE.
“Vullneti i Blair-it për të ndihmuar Shqipërinë është tepër i çmuar duke marrë parasysh të mirat që sjell, derisa kontrata nuk do të prekë xhepat e taksapaguesve shqiptarë”, tha Rama pas takimit me Blair-in, në zyrën qendrore të këtij të fundit, në Londër.
“Deri tash kemi vetëm marrëveshje në parim, bazuar në vullnetin e mirë të të dy palëve për bashkëpunim”, shtoi Rama, raporton JNK.
Koalicioni i majtë i Ramës shënoi fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare të së dielës, duke siguruar 84 ulëse, nga 140 sa ka Kuvendi i Shqipërisë.
Alistair Campbell një ish-ndërtues i marrëdhënieve me publikun për Tony Blair-in që punoi si këshilltar gjatë fushatës së socialistëve u shfaq shumë entuziast për suksesin e të majtëve shqiptarë në zgjedhje.
Duke parë “lumin” e votave që shkonin për koalicionin e Partisë Socialiste në Shqipëri, “më pëlqejnë fitoret dërrmuese”, shkroi Campbell në Tëitter, për të shtuar “ishte kënaqësi të punohet me ju, djema”.
Partia Socialiste nuk pranoi të komentojë çmimin e kontratës së mundshme me Blair-in, duke argumentuar që detajet financiare nuk janë diskutuar.
Thursday, 27 June 2013 11:58