Lajme Shqip Tuesday, 25 June 2013 22:19

Tiranë – Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, pas numërimit të më shumë se 90 për qind të votave, në bazë të të cilave PS doli fituese, në fjalimin para mbështetësve të tij ka thënë se ai do të jetë kryeministri dhe kryeshërbëtori i të gjithë qytetarëve të Shqipërisë.

 “Unë do të jem kryeministër i juaji por edhe kryeshërbëtori juaj. Detyra do jete e imja, pushteti do të jetë i juaji. Unë s’do ta harroj këtë por ju lutem mos e harroni as ju. Jo për mua, por për të mirën e Shqipërisë që duhet të rilindim së bashku”, ka thënë Rama.

 Rama ka thënë se të gjithë meritojnë respekt dhe se ligjet e vendit nuk do të shkelen.

“Të gjithë meritojnë respektin tonë dhe të gjithëve do t’ua provojmë se ndryshimi s’ka ardhur për t’i bërë keq askujt që s’ka bërë keq”, tha ai.

 

Rama falënderon Berishën

 

Madje Rama në një moment, ka thënë duke iu referuar Berishës se ka përdorur shpesh “fjalë të pahijshme” për të.

“Më ka qëlluar të them deri dje edhe fjalë të pahijshme për paraardhësin tim, ashtu siç edhe ai ka thënë kundër meje. Kjo ndodhë në betejën politike, por ndodhë më shumë në demokraci të pazhvilluara, si e jona, ku pushteti i popullit degradon rendom në shfatjen e pushtetit te një njeriu. Por sonte unë dua të falënderoj atë për cdo gjë të mirë që historia mund ta vlerësojë nesër me një objektivitet më të madh se unë sot dhe i uroj gjithë të mirat në jetën e tij private në vazhdim”, ka thënë Edi Rama.

 

“ Ne e pranojmë përgjegjësinë me ndjenjën më të thellë të peruljes ndaj çdonjerit prej jush”, ka thënë Rama.