Derisa po zhvilloheshin aktivitetet e organizuara në kuadër të Forumit të Miqësisë Kosovë – Mal i Zi, aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje zhvilluan një aksion protestues përmes shpalosjes së një pankarte ku ishte shkruar “Në Mal të Zi shqiptarët shtypen. Kjo nuk është miqësi!”
Gjatë këtij aksioni, aktivistët i shpërndanë të pranishmëve edhe një trakt ku ishin shënuar disa prej shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, që sipas VV-së, “shqiptarët diskriminohen në punësim, në investime, janë të shpronësuar me dhunë, e kanë trashëgiminë kulturore të pambrojtur, nuk e kanë të drejtën e arsimit në gjuhën shqipe, nuk kanë të drejtë të përdorin lirshëm simbolet kombëtare” etj.
Ndërkohë siç njofton Vetëvendosje, “disa minuta pas shpalosjes së pankartës dhe pas shpërndarjes së traktit, Policia në mënyrë të padrejtë arrestoi katër aktivistë të Lëvizjes të cilët po e mbanin pankartën në dorë. Aktivistët u dërguan në stacionin e Policisë së Kosovës në Graçanicë”
Të arrestuar janë Anita Shabani, Etleva Malushaj, Nora Fetoshi dhe Pajtim Demaj.
Tuesday, 04 June 2013 13:16