Lajme Shqip Tuesday, 04 June 2013 13:08

Prishtinë – Mbrojtja e dëshmitarëve dhe familjeve të tyre, gjatë një procesi të ndjeshëm gjyqësor, nuk është e kënaqshme në Kosovë, vlerëson misioni evropian për forcimin e sundimit të ligjit, i cili nënvizon se shumë prej atyre që vendosën të folën, nuk janë më.

Pa dashur të ndërlidhet me asnjë rast specifik, EULEX sqaron se çështja e kërcënimit të dëshmitarëve dhe programet e mbrojtjes së tyre janë larg të qenit funksionale.
“Ka pasur shumë raste kur dëshmitarët janë vrarë apo janë kërcënuar, ose familjet e tyre janë frikësuar, jo vetëm në Kosovë ose në Ballkan. Kjo ndodh edhe në vendet evropiane. Situata në Kosovë nuk është e kënaqshme, janë ndërmarr hapa nga autoritetet për të ofruar më shumë mbrojtje për dëshmitarët. Por, kjo do të merr kohë [derisa të ndodh]. Gjithkush e di se përmirësime të mëdha duhen bërë, në mënyrë që të ecën para dhe zhvilloj këtë fushë, sa më parë që të jetë e mundur”, thotë për Radion Evropa e Lirë, zëdhënësja e EULEX-it Françoise Lambert.
Përkundër mungesës së këtij standardi thelbësor, në ofrimin e mbrojtjes së dëshmitarëve të rëndësishëm, misioni evropian thotë të ketë një program funksional brenda dhe jashtë Kosovës, që e përbëjnë njerëz me përvojë në këtë fushë, siç thonë në EULEX, “jashtëzakonisht të ndjeshme”.
“Programet e mbrojtjes së dëshmitarëve, janë të komplikuara. Ka nivele të ndryshme të mbrojtjes, që ofrohen në kohë të ndryshme, dhe për njerëz të ndryshëm. Nuk është vetëm një standard i thjeshtë. Ato përpilohen në bazë të nevojës së njerëzve dhe nivelit aktual të rrezikut. Dhe gjithmonë, dëshirat dhe urimet e tyre janë prioritet absolut”, sqaron Lambert.
Shtatë ish-ushtarak të lartë të UÇK-së, janë paraburgosur të shtunën për shkak të mundësisë për të ndikuar tek tetë dëshmitarë sa janë në procesin e hapur rishtazi gjyqësor për krime lufte, kundër rastit të njohur si “Grupi i Drenicës”.
EULEX sqaron ndërkaq se nuk komenton as për një rast që ndodhet në hetime, por se programi që përdor për mbrojtjen e dëshmitarëve po testohet në vazhdimësi, dhe se “shumë njerëz e kanë provuar, dhe po e provojnë!”
“EULEX-ia ka zhvilluar këtë program, në mënyrë që t’i ndihmoj Kosovës që të merret me disa prej rasteve gjyqësore më të vështira dhe më sfiduese”, thotë Françoise Lambert për Radion Evropa e Lirë.