Lajme Shqip Monday, 03 June 2013 14:27

Shkup – Në Gjykatën Themelore 1 në Shkup sot po mbahet procesi gjyqësor kundër një grupi të protestuesve shqiptarë pjesëmarrës në protestat e 2 marsit në Shkup.
Procesi gjyqësor po zhvillohet kundër 17 personave, të cilët ishin pjesë e protestave që u mbajtën në shenjë revolte kundër rrahjes së disa fëmijëve dhe grave shqiptare nga huliganë maqedonas, të cilët protestuan më 1 mars, kundër emërimit të Talat Xhaferrit për ministër të Mbrojtjes, njoftojnë mediat nga Shkupi. 
Siç njoftohet, grupi që është ndaluar dhe po gjykohet, ka kryer dhunë para Qeverisë dhe në afërsi të Bit Pazarit. 
Sipas raportit të MPB-së në këtë protest ishin dëmtuar një makinë policie, dy ndalesa autobusësh, u dogj një autobus, u dëmtuan disa makina dhe objekte, përfshirë edhe Muzeun e Holokaustit dhe Teatrin e Vjetër. 
Në këtë proces gjyqësor janë thirrur më shumë se 30 persona dhe palë të dëmtuara. Protestat e 2 marsit ishin nxitur dhe organizuar nga grupe qytetarësh të rinj shqiptarë, të cilët ishin të revoltuar nga rrahja e shqiptarëve nëpër Shkup, nga ana e huliganëve maqedonas.