Prishtinë – Misioni i BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë e ka lëshuar një njoftim të martën në mbrëmje se ka arrestuar Naser Kelmendin, i dyshuar për krim të organizuar në Bosnjë.
Por, nuk ka sqaruar se arrestimi i shqiptarit më të kërkuar në Ballkan është bërë në kohën kur i dyshuari ka qenë në duart e Policisë së Kosovës, e cila ka përcjell seancën paraprake gjyqësore ndaj Kelmendit.
Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Behar Selimi thotë se nuk është hera e parë që EULEX tenton t’i marrë meritat për arrestimin e të dyshuarve të profilit të lartë.
Sipas tij, EULEX’i do të duhej të tregonte të vërtetën se arrestimi i Kelmendit është bërë nga dikush tjetër.
”EULEX’i në këtë rast do të duhej të thoshte se i dyshuari është arrestuar nga Policia e Republikës së Kosovës. Mirëpo, meqë Policia e Kosovës këtë rast nuk mund ta trajtoj në raport me Bosnjën sepse ky shtet nuk e ka njohur Republikën e Kosovës, atëherë këtë rast e merr në trajtim Policia e EULEX’it si partnere e Policisë së Kosovës”, ka thënë Selimi, në një bisedë për Express.
“Nuk është hera e parë që EULEX’i përpiqet që suksesin e Policisë së Kosovës ta regjistrojë si sukses të vetin”, ka shtuar ai.
Naser Kelmendi është arrestuar të hënën në Prishtinë nga Policia e Kosovës, ndërsa të martën është mbajtur seanca paraprake në Gjykatën e Apelit, e cila ka liruar Kelmendin në mungesë të provave se ai është i dyshuar për krim.
Pavarësisht tendencës së EULEX’it të shtrembërojë të vërtetën, Selimi thotë se të gjithë e kanë marrë vesh se kush e ka arrestuar të dyshuarin Kelmendi.
“Të gjithë qytetarët e Kosovës, por edhe europianët e dijnë se z. Kelmendi i dyshuar për krime në Bosnjë është i arrestuar nga Policia e Kosovës. Çfarëdo interpretimi tjetër është interpretim me qëllim që EULEX’i të duket sikur është i suksesshëm. Natyrisht, me këtë nuk dëshiroj t’ia relativizojë që mund ta ketë dhënë dhe që mund ta jap në këtë rast pasi EULEX’i mund të ketë marrëdhënie profesionale edhe diplomatike me Bosnjën”, ka thënë Selimi, që është deputet i Kuvendit të Kosovës.
Ai ka treguar se pse Policia e Kosovës nuk ka mundur ta trajtoj deri në fund rastin e Kelmendit, i cili është i dyshuar për krim në një shtet që ende nuk e ka njohur Kosovën.
Wednesday, 08 May 2013 09:41