Lajme Shqip Saturday, 04 May 2013 12:46

Prishtinë- (E plotësuar) Ramush Haradinaj edhe zyrtarisht është konfirmuar kryetar i AAK-së. Ai në Kuvendin e VI-të zgjedhor të kësaj partie, në të cilin kanë marrë pjesë gjithsej 404 delegatë, ka siguruar 403 vota. Një votë është shpallur e pavlefshme. Në këtë garë Haradinaj, nuk kishte kundërkandidat.

“Kosovës i duhet një ndryshim i madh në qeverisje, e cila nuk do të mendojë se si të thurë plane të mbrapshta por të drejta, që në rend të parë kanë interesat e qytetarit”, tha  ish-kryeministri Ramush Haradinaj.

Në fjalimin e tij ku paraqiti vizionin e partisë, Haradinaj tha se AAK-ja do të ketë në fokus shtetasin dhe shtetin, dhe se për këtë ka përgatitur një plan konkret se si vendi të ecën para.

Sipas tij, Kosova ka potencialin më të madh ekonomik në rajon dhe Evropë, të mineraleve dhe minierave për kokë banori.

Ai tha se kur të vije në pushtet partia e tij, zhvillimi ekonomik do të jetë primar, dhe se planet zhvillimore të AAK-së nënkuptojnë eksploatimin e mineraleve dhe qymyrit, për ta bërë një ekonomi të qëndrueshme.