Prishtinë – Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko, ka thënë se marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel nuk i ka dhënë autonomi minoritetit serb në veri. Ai ka thënë se është e tepërt të mendohet se me këtë marrëveshje po krijohen themelet e ndonjë ‘Republika Srspska’.
“Mendoj se historia, sidomos në Ballkan, ka vërtetuar se është edhe matematikë. Mendoj se minoriteti serb në Kosovë nga pikëpamja matematikore nuk është i aftë të prodhojë një fenomen politik që mund të barazvlerësohet me Republikën Srspska në Bosnje e Hercegovinë. Në gjithë Kosovën ka rreth 100 mijë serbë, ndërsa në veriun e Kosovës ka rreth 35 mijë banorë të kombësisë serbe”, ka thënë ai në një intervistë për “Epokën e Re”.
Në këtë kontekst, ai ka shtuar se është e tepërt të mendohet se ky minoritet me këtë numër mund të krijojë probleme që mund ta bllokonin vendimmarrjen kombëtare për shtetin e Kosovës.
Majko ka thënë se atë që e ka fituar Kosova në këtë proces në Bruksel është e pakthyeshme, kurse atë që e ka fituar minoriteti serb është e përkohshme. Ai ka deklaruar se ka kohë që ora e historisë po funksionon për shqiptarët.
“E ardhmja do të jetë mjaft interesante për shqiptarët. E rëndësishme është të jemi racionalë, gjakftohtë dhe në çastin e duhur t’i marrim vendimet që do të na i kërkojë koha”, është shprehur Majko.
Saturday, 04 May 2013 10:14