Lajme Shqip Wednesday, 20 March 2013 16:42

TIRANE – Mbi 1 mijë studentëve nga Kosova, të cilët kanë përfunduar studimet e larta në universitete private shqiptare, nuk u njihet diploma nga Ministria e Arsimit në Kosovë. Një përfaqësi studentësh ditën e djeshme kanë protestuar pranë Ministrisë së Arsimit në Tiranë dhe kanë kërkuar arsyet ligjore dhe pse nuk është respektuar marrëveshja mes dy vendeve, por njihen diplomat vetëm për studentët të cilët kanë përfunduar studimet në universitete publike shqiptare dhe jo në ato private.

Ndërkohë Ministria e Arsimit ka sqaruar për “Gazeta Shqiptare” se ka një marrëveshje mes dy palëve dhe nëse programi i studimit është i akredituar, nuk ka asnjë arsye përse të mos njihen diplomat. Ndër të tjera, burime zyrtare pranë MASH kanë sqaruar se nëse studentët kanë përfunduar një degë studimi që hyn në profesionet e rregulluara, (mësuesi, stomatologji, mami, infermieri etj.) duhet që të bëjnë edhe provimin e shtetit në Shqipëri.
Problemi
Diplomat e lëshuara nga universitetet private në vendin tonë nuk po njihen nga Ministria e Arsimit e Kosovës. Janë rreth 1200 studentë që po penalizohen pasi kanë një diplomë shqiptare. “Ne kemi një problem me njohjen e diplomave që merren këtu në Tiranë nga universitetet private. Ato nuk njihen në Kosovë. Arsyeja zyrtare është se Shqipëria nuk është anëtare e ENQA-s dhe nuk mund të bëhen njohje të diplomave që lëshohen nga universitetet private të Tiranës.

ENQA është një agjenci europiane që bën akreditimin e këtyre agjencive të akreditimit. Shqipëria ka një agjenci që bën akreditimin edhe të privatit, dhe të shtetit, ndërsa tek ne në Kosovë diplomat e shtetit njihen, të privatit jo”, thotë studenti Agron Bytyçi. Ndërkohë që Ministria e Arsimit ka sqaruar zyrtarisht për “GSH” se:-“Kemi marrëveshje me shtetin në fjalë për njohjen e diplomave. Nëse programi i studimit është i akredituar, nuk ka asnjë arsye përse të mos njihen diplomat. Agjencitë e Akreditimit kanë status të njëjtë. Nëse studentët kanë përfunduar studimet në ato degë që njihen si profesione të rregulluara, duhet të japin edhe provimin e shtetit në Shqipëri që të plotësohet ajo që parashikon ligji jonë”. Por Ministria e Arsimit në Kosovë është shprehur se universitetet private në Shqipëri nuk janë të akredituara nga një agjenci ndërkombëtare, përjashtim bëjnë vetëm universitetet publike.

Ky ngërç, i cili nuk po zgjidhet ligjërisht ka bërë që shumë studentë të mos munden të aplikojnë për punë. Ndërkohë që Agjencia Publike e Akreditimit të Arsimit të Lartë (APAAL) e cila bënë akreditimin e universiteteve në vendin tonë në faqen e saj zyrtare ka të listuar si partnere edhe agjencinë ENQA.(er.nu/GSh/BW/LajmeShqip.com)