Prishtinë (E plotësuar) – Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Catherine Ashton, pas Prishtinës ka vizituar Beogradin, ku është takuar me presidentin serb, Tomisllav Nikoliq, kryeministrin Ivica Daçiq dhe zëvendësin e parë të qeverisë serbe, Aleksandar Vuçiq.Takimet e zonjës Ashton në Prishtinë po cilësohen si konsultime në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 
Nikoliq pas takimit ka thënë se ende nuk ka marrëveshje për “bashkësinë e komunave serbe, porse është optimist dhe beson se deri te zgjidhja do të mund të arrihet, duke respektuar Rezolutën për Kosovën, të miratuar nga Kuvendi i Serbisë”.
Presidenti serb ka thënë se “asnjëherë s’kemi qenë më afër marrëveshjes që do të rregullonte jetën në Kosovë dhe do të bënte të mundur për të gjithë ata që jetojnë atje të jenë të mbrojtur, kurse për serbët të jetojnë në kuadër të bashkësisë së tyre dhe të mbeten të lidhur me Serbinë”.
Kryeministri serb, ndërkaq, ka dhënë një deklaratë më ndryshe, duke thënë se “aktualisht nuk ka asnjë marrëveshje dhe as që do të ketë nëse nuk shqyrtohen në mënyrë thelbësore propozimet e Serbisë që kanë të bëjnë me komunat serbe”.
“Askush në këtë moment nuk mund të thotë nëse do të ketë marrëveshje, ne duam kompromis, por nuk do të pranojmë poshtërimin. Kjo është porosia jonë për 20 marsin”, ka thënë Daçiq.
“Nuk mund të themi se BE-ja po sillet tani karshi nesh përmes ultimatumeve, ashtu siç ka ndodhur viteve të mëparshme…Ajo çfarë ka thënë presidenti Nikoliq ka të bëjë me qëndrimet tona të përbashkëta dhe me çështjet për të cilat ne pajtohemi kur bëhet fjalë për bashkësinë e komunave”, ka thënë Daçiq, transmetojnë mediat serbe.
(E plotësuar) “Vizita e baroneshës Ashton është një mesazh i fuqishëm për progresin e arritur në Kosovë për zotimin e mbështetjes së plotë të BE-së për të arriturat në Kosovë dhe për bashkëpunimin tonë të ngushtë me BE-në”, ka thënë Thaçi pas takimit me Ashton.
13:25 ¬ Normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, brenda kornizave kushtetuese
Prishtinë, 14 maj (E plotësuar) – Kryeministri Thaçi dhe liderët opozitarë i kanë shprehur edhe njëherë baroneshës Ashton, qëllimin dhe vizionin e Republikës së Kosovës për të ardhmen evropiane dhe anëtarësimin në BE dhe në NATO.
Ata kanë ripërsëritur se çdo zgjidhje në kontekst të normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, duhet të bëhet brenda kornizave kushtetuese dhe ligjore të Republikës së Kosovës.
“Shprehëm konkludimin e përbashkët se procesi i normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore duhet të vazhdojë në suaza të respektimit të plotë të kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës dhe të standardeve evropiane”, ka nënvizuar Thaçi.
Kryeministri i vendit ritheksoi se bisedimet janë në fazat e fundit për arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë.
“Jemi në një fazë të fundit për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e plotë të gjendjes në veri, për shpërbërjen e strukturave ilegale dhe vendosjen e rendit dhe ligjit në atë pjesë”, ka thënë Thaçi pas takimit.
I pyetur për qëndrimin e Ashton rreth deklaratave kontraverze të Nikoliqit, Thaçi ka thënë se këto deklarata janë ‘befasi edhe për Brukselin’.
Ndërkaq, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka vlerësuar takimin si një përpjekje të fundit për zgjidhjet e duhura në mënyrë që të gjendet një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.
I pyetur nëse baronesha Ashton ka vendosur kushte apo presion për palën kosovare, Haradinaj ka thënë:
“Takimi është vazhdimësi e përpjekjeve për të gjetur zgjidhje adekuate në kuadër të legjislacionit dhe kushtetutës së Kosovë. Nuk ka zgjidhje jashtë pakos së Ahtisaarit. Nuk ka kushte të caktuara dhe as presion”, ka thënë Haradinaj para gazetarëve.
Menjëherë pas takimeve me krerët me të lartë shtetit dhe liderët opozitarë, baronesha Ashton, menjëherë, është nisur për në Beograd, ku do të takojë krerët institucional të Serbisë
Ashton ka filluar takimet, çështja e statusit e paprekur.
Prishtinë, 14 mars – 11:39 – Në përpjekje për të përafruar pikëpamjet për arritjen e një normalizimi marrëdhëniesh midis Kosovës e Serbisë, përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Europian, Baronesha Catherine Ashton ka rritur mbrëmë në Prishtinë, kurse sot ka filluar takimet me zyrtarët më të lartë të vendit si dhe me përfaqësues të partive politike, përjashtuar Vetëvendosjen.
Siç merret vesh, rreth orës nëntë ajo u takua me presidenten Atifete Jahjaaga dhe kryeministrin Hashim Thaçin. Me gjithë interesimin e kuptueshëm të medieve që së paku të regjistrojnë takimin e tyre, ato nuk u lejuan.
Në takim morën pjesë edhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Vlora Çitaku, dhe koordinatori politik në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, Blerim Shala.
Presidentja Jahjaga, e vlerësoi vizitën e zonjës Ashton të rëndësishme meqë kontribuon në kuptimin e rëndësisë së procesit të dialogut që po zhvillohet në Bruksel, i cili për synim ka normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.
Presidentja Jahjaga theksoi se i ka dhënë mbështetje dialogut si e vetmja zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që është në interes të qytetarëve të të dyja vendeve dhe për paqen e stabilitetin në gjithë rajonin.
Ajo theksoi se procesi i dialogut nuk ka hapur çështje të tjera që lidhen me statusin ose ato që mund të rrënojnë të arriturat e përbashkëta me bashkësinë ndërkombëtare, dhe vlerësoi se marrëveshjet e arritura deri tash janë një bazë e mirë për lehtësimin e jetës së qytetarëve nga të dyja anët e kufirit.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka hyrë në procesin e dialogut e përkushtuar për të përmirësuar pozitën e komunitetit serb në Kosovë dhe për t’i integruar ata në jetën institucionale dhe politike të Kosovës. Ajo tha se duhet të jemi të pakompromisë në insistimin tonë që qeveria e Serbisë duhet të shpërbëjë strukturat e saj ilegale dhe paralele në komunat në veri të territorit të Kosovës, sepse ato po mbajnë peng jetën e qytetarëve serbë.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka treguar se është konstruktive dhe fleksibile brenda kornizës ligjore dhe kushtetuese të saj dhe tha se është me rëndësi arritja e marrëveshjeve që mund të zbatohen me sukses.
Ajo theksoi se i jep mbështetje të plotë procesit të dialogut dhe tha se me rëndësi është që të arrihen zgjidhje afatgjata e përfundimtare që nuk do të cenojnë funksionalitetin e Kosovës.
Presidentja Jahjaga theksoi se pavarësia dhe integriteti territorial i Kosovës nuk mund të negociohen dhe nuk ka kthim prapa. Ajo tha se Kosova dëshiron që të konsolidojë pozitën e saj ndërkombëtare dhe që të përafrohen më shumë me BE-në.
Presidentja Jahjaga theksoi se me rëndësi është që Kosova të marrë sinjale pozitive nga BE-ja, posaçërisht në procesin e liberalizimit të vizave dhe atë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për politikë të Jashtme dhe Siguri, baronesha Ashton, theksoi rëndësinë e dialogut për gjetjen e zgjidhjeve dhe vlerësoi konstruktivitetin e palëve në këtë proces.
Ajo tha se është arritur një përparim i dukshëm në dialog dhe theksoi rëndësinë e zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të arritura.
Ndërkohë, Baronesha Catherine Ashton ka filluar takimin me liderët e partive politike kosovare në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës. Në takim po marrin pjesë kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ai i AKR-së, Behgjet Pacolli, ndërkaq pakicat po përfaqësohen nga Sllobodan Petroviq, që udhëheq liberalët serbë, dhe Mahir Yagcilar.
Isa Mustafa, kryetar i LDK-së, nuk merr pjesë. Ai që më herët kishte paralajmëruar se sot ndodhet në Bruksel, sipas një axhende të mëhershme. Por nuk njoftohet nëse ai ka dërguar aty ndonjë përfaqësues tjetër të kësaj partie, ndonëse ishte thënë se do të delegohej.
Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti më herët kishte paralajmëruar mungesën, pasi partia e tij kundërshton dialogun në mes Kosovës e Serbisë.
Pas këtyre takimeve nuk janë planifikuar deklarata për medie, por vetëm komunikata për shtyp.
Ndërkaq, ende nuk është e sigurt nëse ndërmjetësuesja e BE-së në dialogun në mes Kosovës e Serbisë do të udhëtoi për në Beograd.
Zyrtarët në Bruksel me kushte anonimiteti kanë thënë shkuarja e Baroneshës Ashton në Beograd do të varet nga rezultati i bisedimeve në Prishtinë.
Beogradi s’pajtohet. (REL/LajmeShqip.com)
Thursday, 14 March 2013 11:47