Prishtinë – (I plotësuar) E dyshimtë dhe ikje nga përgjegjësia u duket anëtarëve të Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, dorëheqja e zëvendësdrejtorit të kësaj Agjencie, Latif Merofci.
Askush nuk e di saktë pse ai ka dhënë dorëheqje, madje këtë informacion nuk e ka as vet drejtori Bashkim Smaka. Këtë e din vetëm Kryeministri dhe Presidentja të cilët e kanë miratuar këtë dorëheqje.
Smaka megjithëse ka raportuar të mërkurën në këtë komision, raportim të cilin e ka bërë të mbyllur për media, nuk ka dashur të jep asnjë koment se çfarë është diskutuar në këtë mbledhje që ka zgjatur për më shumë se dy orë.
Në këtë komision është diskutuar shumë për verifikimin e sigurisë së anëtarëve të AKI-së, por më e keqja është se këtij procesi nuk i janë nënshtruar as vet anëtarët e Komisionit për Mbikëqyrje të AKI-së, por këta të fundit fajin ja hedhin Jakup Krasniqit, i cili sipas tyre që dy vite po e zvarrit këtë proces.
Kryetari i këtij Komisioni, Florin Kelmendi ka thënë se dorëheqja Merofcit i duket e dyshimtë por thotë se nuk guxon të flet pse mund të jetë bërë kjo, ngase nuk e din saktë.
Kur ka folur për verifikimin e tyre si komision, ka thënë se kryetari i Kuvendi po e zvarrit këtë proces, ndërsa për ata të AKI-së ka thënë se nuk e di saktë sa e kanë kaluar verifikimin.
Ndërsa, anëtari i këtij Komisioni nga radhët e PDK-së, Fadil Demaku ka thënë se verifikimin e tyre po e zvarrit kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi dhe sipas tij kjo nuk do të duhej të ndodhte. Ndërsa për dorëheqjen e zëvendësdrejtorit Merofci, ka thënë se nuk supozon pse ka ndodhur, thjeshtë e dinë që ka kërkuar dorëheqje, por nuk i din arsyet që i ka pasur.
Në anën tjetër Burim Ramadani, anëtar në këtë komision nga radhët e AAK-së e ka quajtur ikje nga përgjegjësia, dorëheqjen e Merofcit.
Sa i përket verifikimit të tyre ka thënë se Jakup Krasniqi po e zvarrit këtë çështje që dy vite.
Në këtë mbledhje të Komisionit, Bashkim Smaka ka qenë i thirru bashkë me zëvendësdrejtorin që tashmë ka dhënë dorëheqje, që të raportojnë, por ky i fundit meqë nuk është më, në komision ka raportuar drejtori i departamentit të verifikimit.(KP/LajmeShqip.com)
Wednesday, 13 March 2013 16:00