Përveç takimeve me udhëheqës të lartë të jetës institucionale e politike në Greqi, ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, në kuadër të vizitës zyrtare në Athinë ka marrë pjesë në një tryezë të rrumbullakët të organizuar nga Fondacioni Grek për Politikë të Jashtme dhe Çështje Evropiane, ELIAMEP, me temë “Sfidat e Kosovës moderne: Perspektiva nga Prishtina”.Ministri Hoxhaj në ligjëratën e tij në tryezë, duke iu referuar vizitës së parë zyrtare në Athinë dhe takimit me homologun e tij grek, theksoi se kjo është në një gjë unike pasi që “shteti më i vjetër i Evropës ka mirëpritur në takim bilateral shtetin më të ri në Evropë, Republikën e Kosovës”.
Në prezantimin e tij, Hoxhaj u fokusua në katër çështje kryesore: rrugën e Kosovës deri te shpallja e pavarësisë, shtet-ndërtimin e Kosovës dhe kontributit e Greqisë, normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë si dhe perspektivën evropiane të Kosovës, thuhet në një komunikatë për media të Zyrës për Informim të MPJ-së,
“Shpallja e shtetit të Kosovës ishte proces i koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare në bazë të pakos së Presidentit Ahtisaarit, si emisar për statusin final të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Moon”, tha Hoxhaj.
Duke folur për integrimin e komuniteteve në krijimin e shtetit të Kosovës, ai theksoi se implementimi i Pakos së Ahtisaarit në më pak se pesë vjet, duke rezultuar me përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës nga 25 shtete, është fakt që vërteton se Republika e Kosovës është e përgjegjshme në raport me bashkësinë ndërkombëtare.
“Mbi të gjitha, Kosova reflekton një shtet-ndërtim modern përtej parimit etnik, duke u ndërtuar në një shtet qytetar dhe shumë-etnik. Si realitet gjeopolitik botëror dhe mishërim i vullnetit të popullit, Kosova nuk është as krijesë ideologjike, as rezultat i rastësisë politike. Kosova është një ndër shembujt më të suksesshëm të shtet-ndërtimit në historinë e OKB-së, dhe rezultat i ndërgjegjes dhe drejtësisë ndërkombëtare, prandaj si e tillë do të ekzistojë gjithmonë në truallin e Evropës”, tha ai.
Rreth rëndësisë së njohjes së Kosovës nga Greqia, ministri i Jashtëm i Kosovës, theksoi se bashkëpunimi ekonomik-tregtar i cili është zhvilluar pavarësisht mungesës së njohjes, është treguesi më i mirë për të ardhmen prosperuese të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve dhe se njohja e Kosovës së pari do të ishte në shërbim të forcimit të marrëdhënieve bilaterale, si dy shtete fqinje në rajon.
Dialogun në Bruksel, Hoxhaj e vlerësoi si mundësi unike të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, duke thënë se kjo e fundit gradualisht por sigurt po e pranon realitetin politik të Kosovës së pavarur.
“Dialogu në kuptimin tonë, shërben për tre çështje kryesore: së pari për të normalizuar dhe integruar komunitetin serb në komunat veriore të Kosovës, së dyti për të normalizuar marrëdhëniet me fqinjin tonë verior, Serbinë, normalizim ky i cili duhet të kulmoi me njohjen reciproke, si dhe normalizimin me Bashkimin Evropian dhe pesë shtetet mos njohëse”, tha ai.
Pjesëmarrësit në këtë tryezë shtruan edhe shumë pyetje lidhur me të ardhmen evropiane të Kosovës, modelet e integrimit të serbëve në veri të Kosovës, potencialin e marrëdhënieve greko-kosovare, si dhe mundësitë e investimit në Kosovë.
Kjo tryezë u përcoll edhe nga përfaqësues të Ambasadës së Serbisë në Athinë.
Sunday, 10 March 2013 15:32