Shkup (plotesuar)- Turmat prej mbi 200 veta ka marshuar nga Bit Pazari në drejtim të Qeverisë, mirëpo turma është ndaluar nga njësitet speciale në afërsi të urës pranë sheshit Skenderbeu. Pas një qëndrimi të shkurtër turma e protestuesve me vrap është tërhequr në drejtim të Bit Pazarit, ndërsa gjatë tërheqjes janë sulmuar me gurë njësitet policore.
Grupe të protestuesve kanë theksuar se ishin tubuar për të shprehur revoltën për shkak të dhunës së huliganëve maqedonas ndaj të rinjve shqiptarë dhe mos ndëshkimin e tyre nga ana e organeve të rendit.
“Ne kemi dalur në protestë për të shprehur revoltën kundër huliganizmit maqedonas ndaj shqiptarëve dhe mungesën e reagimit të organeve policore për zbardhjen e incidenteve dhe rrahjen e shqiptarëve nëpër Shkup”, ka theksuar Besniku, një protestues i ri nga Shkupi.
Njësitet speciale nuk kanë ndjekur turmën e protuestve, e cila më pas është përcjellur nga policia e rregullt dhe se karvani i protestuesve ka përfunduar dhe është shpërndarë në hyrje të Çairit.
Protesta është ndjekur nga dhjetëra media ndërkombëtare dhe kryesisht ato rajonale. Protesta nuk pati jehonë të madhe pa thirrjeve të bashkësisë ndërkombëtare, BFIM dhe partive politike për të shmangur dhunën dhe incidentet.
13:00 – Në grup të rinjsh janë grumbulluar dhe po protestojnë në drejtim të Qendrës tregtare “Mavrovasja” në Shkup.
Ata janë grumbulluar spontanisht dhe se bëhet fjalë për nxënës të shkollave fillore dhe të mesme të shkollave shqipe, të cilët po brohorasin kundër dhunës së huliganëve maqedonas.
Tahir Arifi, plaku nga Shkupi ishte pranë protestuesve duke bërë thirrje për shpërndarje dhe për të mos krijuar situatë tensionuese.
“Populli ka humbur besimin dhe është i revoltuar tek institucionet shtetërore, pas rrahjes dhe huliganizmit të maqedonasve ndaj fëmijve dhe grave shqiptare. Qeveria urgjentisht duhet të marrë masa kundër huliganëve për ta ulë tensionin tek të rinjtë që po shkojnë në shkollë dhe po kthehen të gjakosur në shtëpitë e tyre”, ka theksuar plaku Tahir Arifi. Sipas tij, maqedonasit u duan të bashkëjetojnë dhe të dënojmë bashkë huliganizmin, ose s’ka më bashkëjetesë.
12: 34 – Pas lutjeve të së premtes në Shkup nuk pati asnjë protestë të nisur, të paralajmëruar përmes rrjeteve sociale të internetit.
Individë dhe grupe të ndryshme për sot kishin paralajmëruar organizmin e protestave të radhës kundër dhunës së huliganëve maqedonas, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur deri më tani.
Nëpër rrugët e Shkupit ka pasur forca të mëdha policore, përfshirë edhe njësitet speciale të shpërndara në disa pjesë të kryeqytetit. Protesta pritej të niste nga xhamia e Jahja Pashës në Shkup, mirëpo pas lutjes së të premtes nuk ka nisur karvani i protestuesve, përveç një grupi të të rinjve që kishin bllokuar për disa minuta rrugën dhe nuk vazhduan me marshimin, duke mos pasur përkrahjen e qytetarëve të tjerë.
MPB po vazhdon praninë e shtuar, ndërsa janë bllokuar disa akse rrugore, pas paralajmërimeve për protesta.
08:14 – Në Shkup sot janë paralajmëruar protesta përmes rrjeteve sociale të internetit. MPB ka bërë të ditur se po ndjek thirrjet për organizimin e protestave të reja.
Protestat janë thirrur nga nisma joformale të organizuara përmes rrjeteve sociale të internetit, kryesisht në Facebook dhe forume të tjera.
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) bëri të ditur dje se po ndjek thirrjet për organizimin e protestave të reja. “Po punohet për identifikimin e profileve të individëve dhe grupeve që po thirrin për protesta dhe që mund të jenë organizatorë të grupeve në rrjetet sociale si në Facebook. Disa nga grupet dhe profilet që bëjnë thirrje për urrejtje dhe shkelje të rendit dhe qetësisë janë shlyer, ndërsa është procedura edhe për profilet e tjera”, theksoi MPB.
Ky dikaster ka bërë thirrje për mirëkuptim dhe për të ndaluar sjelljet devijuese dhe të dhunshme.
“Pavarësisht se nuk janë lajmëruar protesta, në bazë të informacioneve dhe të dhënave operative, policia do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme, ndërsa ndaj të gjithë atyre që marrin pjesë apo shkaktojnë incidente do të ndërmerren sanksione të ashpra. Qytetarët që mendojnë të marrin pjesë në ndonjë protestë nuk duhet të lejojnë që të manipulohen dhe të futen në çdo lloj skenari, për shkak se përgjegjësia bie edhe mbi ta”, thekson MPB, duke i bërë thirrje sektorit civil, medieve dhe të gjithë qytetarëve të japin kontributin e tij për uljen e tensioneve.
Kjo ministri thekson se në bazë të materialeve të deritanishme të siguruara edhe nga mediat, ka identifikuar disa persona që kanë marrë pjesë në dhunën e javës së kaluar, të cilët janë thirrur në biseda informative dhe janë të përfshirë në incidente. Sipas MPB-së, pesë prej të ndaluarëve, dyshohen se janë të involvuar në protestat e së premtes, ndërsa janë edhe të tjerë që janë të përfshirë në incidentet e së shtunës. Tre prej tyre janë të moshës së mitur.
Ndërkohë, sipas gazetës “Lajm” një aksion të madh policor në Shkup dje janë arrestuar rreth 30-40 veta në komunën Çair dhe Butel të Shkupit. Supozohet se arrestimet janë bërë për shkak të protestave të ditës së shtunë, por njëherësh edhe për ta parandaluar përsëritjen e protestave eventuale të paralajmëruara për sot. (INA/LajmeShqip.com)
Friday, 08 March 2013 15:49