TIRANE – “Mbase do të kthehem në teatër, në oborr a në holl, por e di se në skenë nuk do ngjitem më kurrë. Më ndero”. Këto kanë qenë fjalitë e kobshme që i ka thënë bashkëshortes, ditët e fundit ashtu si nën zë Roland Trebicka. Ai është kthyer sot edhe një herë në Teatër, në holl e në oborr, por nuk do të ngjitet më në skenën e tij. Kolegë, miq, artdashës e qytetarë të shumtë janë mbledhur në hollin e Teatrit Kombëtar, për t’i dhënë lamtumirën e fundit artistit unik, Roland Trebicka. Homazheve iu bashkuan edhe krerët e politikës, të cilët u përkulën me nderim përpara trupit të pajetë të aktorit të mirënjohur.
Mjeshtri i madh i skenës shqipe, legjenda e Teatrit u shua dje në moshën 65-vjeçare, për shkak të një sëmundjeje të rëndë. Grahmat e fundit i dha në shtëpinë e tij, dje në drekë rreth orës 14:30. Pranë tij, janë gjendur e shoqja e mikja e jetës së tij, Violeta dhe dy vajzat, Manjola që kishte ardhur enkas nga Franca dhe Evisi që jeton në Tiranë. Lajmi i rëndë, befasoi miqtë e të afërmit. Shumëkush pat menduar se ai e mundi vdekjen, por jo, ai thjesht e kishte mposhtur për pak kohë.
BERISHA: TREBICKA KA FITUAR PAVDEKESINE ME PERSONAZHET E TIJ
Pasi kreu homazhe përpara trupit të aktorit të njohur dhe shkroi disa vargje në librin e kujtimeve, Kryeministri Berisha deklaroi se dita e sotme është një ditë e dhimbshme zie për artin shqiptar. Sipas kryeministrit, Roland Trebicka ka arritur të bëhet i pavdekshëm përmes personazheve që ka interpretuar.
“Roland Trebicka ishte dhe do mbetet njëri nga artistët më të dashur, më të çmuar, më të fuqishëm në mjeshtërinë e tij për shqiptarët. Më bukur se Roland Trebicka askush tjetër nuk u shkri në personazhet e tij. Në këtë aspekt ai ka jetuar, jeton dhe do jetojë në këto personazhe artistike. Ka fituar pavdekësinë që meriton, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, e cila ka bërë përpjekje të mëdha për ta ndihmuar Rolandin. Ngushëlloj miqtë e tij dhe botën e artit që sot është në zi të vërtetë.”- u shpreh kryeministri.
RAMA: NJE BOSHLLËK I PAZEVENDESUESHEM NE TEATRIN SHQIPTAR
Rreth orës 11:00, kryetari i PS-së Edi Rama u përul me nderim përpara trupit të pajetë të aktorit të mirënjohur Roland Trebicka. Pasi shkruajti mesazhin e tij në librin e kujtimeve, Rama deklaroi se humbja e Trebickës është një boshllëk i pazëvendësueshëm në Teatrin shqiptar.
“Me nderim e përcjellim jo vetëm si një komik të madh, por edhe si një njeri vërtet të rrallë”- deklaroi Rama.
PRESIDENTI NISHANI: JEMI KRENARË PËR KONTRIBUTIN E TIJ
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani shpreh hidhërimin e thellë për ndarjen nga jeta të artistit dhe aktorit të shquar Roland Trebicka përmes një mesazhi ngushëllimi drejtuar familjarëve të të ndjerit, në të cilin shkruhet:
“Sikur aktori Roland Trebicka të ishte njeri i zakonshëm fjalët e ngushëllimit për ndarjen e tij nga jeta do të ishin më të lehta për t’u zgjedhur e për t’u shprehur. Është rrugëtimi i mundimshëm drejt artit, është jeta dhe vetë personaliteti i artistit të shquar që na bën të mendohemi shumë e të zgjedhim fjalën më të ngrohtë e të denjë për të shprehur dhimbjen dhe respektin e merituar që ia kemi borxh, sepse ajo çka la pas me artin e tij është një shërbim i madh që i bën vendit. Jam i sigurt se familja e tij; bashkëshortja, fëmijët, të afërmit e ndjejnë shumë dhimbjen, por po aq jam i bindur se kjo dhimbje përkthehet në respekt dhe mirënjohje të madhe nga çdo shqiptar që ka pasur dhe do të ketë fatin të ndjekë Rolandin në rolet e tij të mrekullueshme. Jeta e tij e shkurtër është pragu i fillimit të një pavdekësie, të cilin ai e ka merituar dhe ne jemi krenarë për kontributin e tij ndaj artit dhe kulturës shqiptare”, përfundon mesazhi i ngushëllimit i Presidentit Nishani.
BUMCI: SKENES SHQIPTARE DO T’I MUNGOJE SHARMI I GJENIUT TE HUMORIT
Edhe ministri i Kulturës, Aldo Bumci, zhvilloi sot homazhe në nder të aktorit Roland Trebicka. Ai deklaroi se dita e sotme është një dite zie për kulturën shqiptare ndërsa shtoi se skenës shqiptare do t’i mungojë sharmi i gjeniut të humorit.
“Më i madh se talenti ishte dhe vullneti i tij. Në rolin e tij të fundit u ngrit në këmbë si çelik përmes vullnetit. Na bëri të besojmë se mrekullia kishte ndodhur e kishte fituar betejën me sëmundjen. Trebicka është nga ata njerëz që kanë qenë të bekuar, ka hyrë në familjet tona na ka bërë të buzëqeshim. I paharruar qoftë emri i tij.”- u shpreh ministri Bumçi.
RAJMONDA BULKU
“Na iku një aktor jashtëzakonisht i veçantë, që nuk do të harrohet. Ne do të na mungojë shumë. Ishte i papërtuar, vetëm t’i kërkoje ndihmë dhe ishte padyshim me ty në çdo moment. Do na iki gazi i bukur i teatrit. Ai nuk ishte njeri që tregonte barcaleta, por situata humori.”
LUFTAR PAJA
“Nuk ishte vetëm një aktor i madh, po një njeri i madh. Unë e kam njohur në skenë dhe nëpërmjet interpretimeve që kemi bërë bashkë. Ai na humbi fizikisht, por vepra e tij nuk humbet, pasi ka lënë gjurmë të thella në zemrat e spektatorit shqiptar. Ai tha, u pa rruga ime, por juve ju lë amanet të mos qani. Ai ishte optimist për të ardhmen e njerëzve. Shoqëria artistë si Roland Trebicka duhet t’i vlerësojë më shumë sa janë gjallë, jo vetëm në këto momente kaq të hidhura”.
ILIR BEZHANI
“Vetë koha po vajton për humbjen e Rolandit, mikut tonë të shtrenjtë, brilant në humor. Ai ka një karrierë të mrekullueshme. Rolandi nuk e kishte kohën për të ikur tani. Ai ishte i dashuruar pas skenës dhe publiku ishte i dashuruar pas tij për ta parë. Ai kishte një plastikë të jashtëzakonshme, që lidhej shumë bukur me publikun. Kur hynte në skenë ai kishte energji, potencë. Humorin nuk e kishte rastësor, e kishte dhe në jetë, ishte shumë spontan. Humori ishte brenda ADN-së së tij. Ai e lidhte humorin me ca nuanca korçarizmi. Kishte shtojca batutash të bukura, të lehta dhe pikante, të lidhura me krijimtarinë. Tek “pallati 176” , ai e shtoi vetë frazën “Sander mafishja”, dhe mbeti kështu.”
MANJOLA TREBICKA: ORËT E FUNDIT TË BABAIT TIM
Ajo i ka qëndruar mbi kokë gjatë gjithë kohës që ka qenë në spital në Francë, duke uruar në secilën prej atyre ditëve që jeta e tij të ishte sa më e gjatë. Sot, dy vite më vonë, qëndron pranë arkëmortit, e mpirë, me sy të përlotur. Manjola Trebicka është vajza e madhe e aktorit Roland Trebicka. Ka qenë edhe krenaria e tij. E donte pamasë të bijën, e përmendte shpesh… Vetëm dy ditë më parë, ajo do të udhëtonte në mesnatë, nga Parisi drejt Tiranës, për të takuar edhe një herë të gjallë të atin, njeriun që e solli në jetë dhe e rriti. Manjola duket se i ka ngjarë shumë. Ka qetësinë e madhështinë e tij. Po e nderon të atin, ashtu si ai ia kërkoi; po e përcjell me dinjitet ashtu si ai e meritoi. Mes ngashërimeve e dhimbjes, e shkëpusim nga pritja dhe e pyesim për orët e fundit me të.
U duk se ai e mori veten, se rreziku ishte zhdukur. Prej sa kohësh ishte përkeqësuar?
Prej katër ditësh ka qenë shumë keq. Të dielën shenjat e përkeqësimit janë bërë më të qarta, derisa sot (dje) në drekë, na la. Babai kishte një muaj që nuk dilte nga shtëpia. Për herë të fundit doli në fillimshkurt, për të xhiruar “Ëndrrën e Ismail Qemalit”. Qe edhe hera e fundit që shkoi në teatër.
Kë ka takuar?
Asnjë. Nuk donte që ta shikonte njeri në gjendjen që ishte, nuk donte t’i mërziste miqtë e të afërmit. Nuk donte vizita. Nuk donte ceremonira. Thoshte “më përcillni thjesht!”
Kur keni ardhur nga Franca?
Kam ardhur të martën në mbrëmje. Më lajmëruan se babai nuk ishte mirë dhe erdha të qëndroja me të, ta shihja sërish gjallë. Unë e kam takuar dje (pardje) në orën 12 të natës. Në atë orë munda të mbërrija nga Parisi.
Çfarë ju tha në komunikimin e fundit?
Më falënderoi që erdha dhe u gëzua që më pa.
Po dje, si ishte?
Dje, ishte dita e fundit, nuk foli fare. Nuk kam mundur të komunikoj me të. Vetëm na ka parë të gjithëve me radhë.
U nda nga jeta, në shtëpi?
Po, në shtëpi. Nuk ka dalë prej këtu. Edhe shërbimet e fundit shëndetësore iu bënë në shtëpi.
Ju e keni shoqëruar kur qe në Francë gjatë kohës së qëndrimit në spital. A parashihej të ishte kaq e parakohshme ikja e tij?
Kur erdhi nga Franca ishte disi më mirë. Edhe këtu vijoi të ndiqte kimioterapinë në spital, siç e bëri atje. Operacioni ndihmoi aq sa mundej. Iu zgjat jeta edhe dy vite e gjysmë, po s’mund të bëhej më shumë. (GSh/LajmeShqip.com)
Thursday, 07 March 2013 13:18