SHKUP- Qindra protestues shqiptarë të organizuar nëpërmjet rrjeteve sociale sot kanë protestuar në shenjë revolte ndaj incidenteve të djeshme ku për pasojë mbetën të plagosur disa të rinj shqiptarë. 
Protesta nisi rreth orës 12:30 tek kompleksi Çairçanja për të vazhduar drejt Bit Pazarit dhe si destinacion të fundit ka qeverinë e Republikës së Maqedonisë. I menjëhershëm ka qënë reagimi i policisë maqedonase për të shpërndarë protestuesit.
Policia maqedonase i është kundërpërgjigjur protestuesve me gaz lotsjellës e bomba tymi, ndërsa mes tyre u raportua edhe për persona të lënduar. Protesta zgjati rreth tre orë, ndërsa nuk munguan përleshjet e protestuesve me policinë.
MPJ shqiptare reagoi pas protestës, duke dënuar fillimisht dhunën ndaj nxënësve shqiptarë, ndërsa i bëri apel faktorit shqiptar në Maqedoni të tregojë maturi.
MPJ: Dënojmë dhunën ndaj shqiptarëve, të tregojnë maturi
17:31- MPJ shqiptare reagon pas incidenteve të ndodhura në Maqedoni, ku nxënësit shqiptarë u rrahën barbarbarisht, por edhe për përshkallëzimin e dhunës gjatë ditës së djeshme e të sotme.
“Ministria e Punëve të Jashtme e Republikës së Shqipërisë konsideron se akti i rrahjes barbare të nxënësve shqiptarë dhe përshkallëzimi i dhunës gjatë ditës së djeshme e të sotme në disa rajone të Shkupit në Republikën e Maqedonisë përbëjnë pamëdyshje jo vetëm akte kriminale të patolerueshëm, por edhe një tronditje serioze për vlerat themelore të një shoqërie multietinike dhe demokratike”, thuhet në deklaratën e MPJ.
MPJ shpreh shqetësimin e saj për rishfaqjen e incidenteve me sfond etnik dhe rritjen artificiale e tensioneve në Maqedoini, ndërsa kërkon nga autoritetet kapjen e autorëve të këtyre ngjarjeve.
“MPJ duke uruar shërim të shpejtë dhe të plotë nxënësve e të rinjve shqiptarë të lënduar dhe duke shprehur solidaritet me familjet e tyre, dënon pa ekuivok dhe me forcë çdo incident e akt dhune. Apelojmë që autoritetet e vendit të ndërmarrin masa të menjëhershme për zbulimin dhe dënimin e autorëve, si dhe të përkujdesën që këto raste mos të përsëritën. Forca e ligjit duhet të veprojë ndaj kujtdo që kryen apo mbështet akte të tilla dhune. MPJ shpreh shqetësim se rishfaqja e incidenteve me sfond etnik dhe rritja artificiale e tensioneve e në Republikën e Maqedonisë, është sinjal alarmi për të gjithë ata që të ardhmen e rajonit tonë e shohin në famijlen e Bashkimit Evropian dhe jo në një rikthim tek e shkuara e tensioneve apo konflikteve etnike”, sqaron MPJ.
“Ministria e Punëve të Jashtme u bën thirrje të gjithë faktorëve politikë në Maqedoni dhe veçanërisht faktorëve politikë shqiptarë të tregojnë maturi, pjekuri dhe veprim politik të përgjegjshëm. Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se dialogu konstruktiv, fryma e tolerancës, mirëkuptimit, si dhe bashkëpunimit efektiv mes të gjitha forcave të shoqërisë, për gjetjen e zgjidhjeve për çdo problem a situatë të brendshme të vështirë, është rruga e vetme në shërbim të stabilitetit të vendit, të integrimit të tij në strukturat evropiane dhe euroatlantike si interes madhor i të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë, dhe rajonit gjithashtu”, përfundon deklarata.
Protestuesit tërhiqen, një autobus në flakë
17:14- Protestuesit e irritur i kanë vënë flakën një autobusi përpara stacionit policor, në afërsi të urës së Bit Pazarit. Banorët e lagjeve në afërsi kanë regjistruar pamje filmike nga zjarri dhe tymi i zi që ngrihet nga autobusi me nr. 61.
Nga ana tjetër, protestuesit janë tërhequr plotësisht, kurse policia qëndron ende në vendin e saj. Ministria e Punëve të Brendshme pritet të dalë në çdo moment për të raportuar mbi dëmet njerëzore në radhët e saj.
Situata pa shkon drejt normalizimit
16:00- Situata duket se po shkon drejt qetësimit, pas konfrontimit për dy orë e gjysmë ndërmjet protestuesve shqiptarë dhe policisë. Hedhja e gazit lotsjellës është ndërprerë, ndonëse herë pas herë hidhet nga një bombë tymi. Forcat e rendit vijojnë të qëndrojnë tek ura e Bit Pazarit.
Në rrugët e lagjeve Seravë dhe Gazi Babë, mund të vërehen qytetarë të shumtë, gra dhe persona në moshë të shtyrë, duke marrë ndihmë nga banorët.
Gazi lotsjellës që është hedhur në masë të madhe nga policia, ka depërtuar në shtëpitë e vendbanimeve shqiptare, që ndodhen fare afër “zonës” së konfrontimit.
Tërhiqen një pjesë e protestuesve
15:40 – Një pjesë e protestuesve janë tërhequr në zonën shqiptare, Caircanjë, ku po u jepen ndihmë me ujë dhe qepë kundër gazit lotsjellës. Raportohet se forcat e rendit po hedhin shumë bomba tymi, dhe për pasojë mjegulla ka mbuluar vendbanimet shqiptare, Seravë dhe Gazi Babë. Shumë kalimtarë të rastit ankohen për djegie sysh dhe pengesa në frymëmarrje. Në mesin e të lënduarve nga bombat e tymit është edhe gazetari i “Zhurnal”.
Vijon përleshja protestues-polici
Ora 14:20– Protestuesit janë përleshur sërish me forcat speciale të Policisë. Pas njëzet minutash negociatash ndërmjet një polici shqiptar dhe protestuesve, për lirimin e katër të arrestuarve shqiptarë, pjesëmarrësit në protestë kanë rifilluar të hedhin gurë dhe mjete të tjera në drejtim të pjesëtarëve policorë.
Forcat e rendin po hedhin bomba tymi, gazlotsjelles por protestuesit guxojnë t’i sulmojnë ata me ç’arrijnë. Përleshja po zhvendoset në drejtim të ambulancës në Bit Pazar.
Situata kritike po vijon prej një ore.
Rrugët e kryeqytetit në zonën ku po vijojnë trazirat janë boshatisur plotësisht dhe siç raporton gazetari i “Zhurnal”, është një arenë e vërtetë lufte.
Policia tenton shpërndarjen e protestuesve
Ora 13:40– Forcat policore depërtuan në Çarshinë e Vjetër ku dhe u shpërndanë një pjesë e protestuesve.
Shumë dyqane u mbyllën, kurse kalimtarë të rastit u larguan në panik.
Protestuesit u ndalën në ndihmë një gruaje shqiptare me fëmijën e saj, së cilës i kishte rënë të fikët, raporton Zhurnal.
Një pjesë tjetër e protestuesve përmbysi disa makina në afërsi të Bit Pazarit. Raportohet se Policia arrestoi 4 protestues.

Protesta e sotme ka dalë jashtë kontrollit kur një pjesë e protestuesve kanë vazhduar të dhunojnë objektet bri rrugës, në mesin e të cilave edhe ato të projektit “Shkupi 2014”.
Policia shtoi radhët dhe në përforcim kanë mbërritur edhe autoblinda, të cilët po sprapsin protestuesit.
Policia përdori edhe gaz lotsjellës dhe bomba tymi për të shpërndarë protestuesit të cilët hedhin gurë dhe mjete të forta.
Protesta degjeneroi në momentin kur një numër i vogël i personave që dyshohet të jenë infiltruar nga jashtë, kanë provokuar pjesëtarët e Policisë dhe i kanë sulmuar me mjete të forta.
Raportohet se protestuesit kanë djegur edhe flamurin maqedonas.
Nuk ka informacione se kush janë organizatorët e protestës. Ndërkohë që nga ana tjetër përfaqësuesit e ‘Dinjiteti’, kanë filluar grumbullimin e firmave për referendum, kundër emërimit të Talat Xhaferrit për ministër të Mbrojtjes. Emërimi i Xhaferrit në postin e ministrit të mbrojtjes ishte dhe shkaku i protestave të djeshme të cilat tejkaluan në dhunë.(LajmeShqip.com)
Saturday, 02 March 2013 18:01