Lajme Shqip Thursday, 28 February 2013 13:27

Megjithëse ishte paraparë që shkëmbimimi i zyrtarëve ndërlidhës mes Beogradit dhe Prishtinës të bëhej më 1 mars, një gjë e tillë sipas mediave serbe nuk do të ndodhë për shkak se autoritetet serbe nuk pajtohen që ata të quhen “përfaqësues diplomatikë”.

Dejan Paviçeviq ishte paraparë që të jetë zyrtar ndërlidhës i Beogradit në Prishtinë kurse Lulzim Peci, zyrtar i Prishtinës në Beograd.

Por gazeta “Novosti” e Serbisë, shkruan se ky proces është ndaluar dhe për të do të flitet në takimin e radhës mes kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Ivica Daçiq.

“Shqiptarët e Kosovës këmbëngulin që përfaqësuesit të tyre në Beograd ti jepet një status diplomatic. Në anën tjetër, Beogradi dëshiron që ata të operojnë në kuadër të marrëveshjes që ata të jenë nëpër zyrat e Bashkimit Evropian në të dyja vendet andaj kjo çështje duket se do të ndalojë procesin e ndërrimit të zyrtarëve”, shkruajnë mediat serbe.

Kryeministri serb, Ivica Daçiq, i ka thënë “Novostit” se zyrtarët ndërlidhës nuk duhet të kenë status diplomatic.

“Duhet të diskutojmë më tepër për rolin që do të kenë këta zyrtarë sepse çështja është mjaft e ndjeshme. Ne jemi gati që të diskutojmë në të ardhmen por një gjë është e sigurtë se nuk do të ketë marrëdhënie diplomatike”, ka thënë Daçiq.