Lajme Shqip Thursday, 28 February 2013 11:41

Bruksel – Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schulz ka deklaruar se dyert e Bashkimit Evropian janë të hapura për të gjitha vendet kandidate, duke theksuat se  “kushtet e vëna duhet të plotësohen”.

Sipas tij, që Serbia të marrë datën e negociatave për anërtarësim në BE, duhet të vazhdojë zbatimin e reformave dhe dialogun me Kosovën.

Duke folur për mediat serbe në lidhje me kërkesen e vazhdueshme të BE-së për normalizim të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, Schulz ka thënë se një gjë e tillë është tejet e rëndësishme për agjendën evropiane të të dyja vendeve.

I pyetur për deklaratën e tij të mëparshme se Serbia, në fund të rrugës evropiane, do të duhet të njohë pavarësinë e Kosovës, Schulz ka thënë se ajo paraqet qëndrimin e tij dhe se nuk vë kushte të reja.

“Kujtoj se edhe Beogradi, edhe Prishtina duan që një ditë t’i bashkohen BE-së. Në BE të gjitha vendet duhet të respektojnë njëra-tjetrën dhe të ekzistojnë në paqe”, ka thënë Schulz.

Prishtina dhe Beogradi janë duke zhvilluar në Bruksel bisedime në nivel kryeministrash. Deri më tani janë zhvilluar pesë rrethe, ndërsa i gjashti është caktuar për 4 mars. (REL/LajmeShqip.com)