Lajme Shqip Saturday, 23 February 2013 20:23

ANKARA – Ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoglu refuzon kërkesën e Shqipërisë për të kthyer eshtrat e rilindasit të shquar Sami Frashëri ne vend. Kreu i diplomacisë turke Ahmet Davutoglu u tha gazetarëve në Ankara se Sami Frashëri është një thesar për turqit dhe se ai do të mbetet gjithmonë në Stamboll.

Reagimi zyrtar nga ana e Turqisë vjen pas deklaratave të kryeministri Berisha, i cili tha se do kërkojmë transferimin e eshtrave të Sami Frashërit dhe kokën e Ali Pashë Tepelenës nga Turqia. Këtë kërkesë Berisha ia artikuloi dhe ministrit të Mbrojtjes së Turqisë, Ismet Ylmaz, gjatë vizitës së këtij të fundit dy javë më parë në Shqipëri.

Sami Frashëri, i cili lindi në vitin 1850 dhe vdiq në 1904 cilësohet një personalitet i rëndësishëm për letërsinë turke. Ai ka shkruar enciklopedinë e parë në gjuhën turke si dhe fjalorin e parë të gjerë në gjuhën turke. Ai është babai i Ali Sami Yen themelues i kubit sportiv të Gallatasarit.

Ministri turk Davutogllu thotë se Turqia, sikurse nuk lejoi kthimin e eshtrave të Mehmet Akif Ersoj, autorit të himnit kombëtar turk, ashtu nuk do lejojë dhe kthimin e eshtrave të Sami Frashërit me rol të spikatur në identitetin kombëtar turk.

E ndërsa për eshtrat e Sami Frashërit mbetet kategorik, kreu i diplomacisë turke nuk tha asnjë fjalë nëse do t’i përgjigjet ose jo pozitivisht kërkesës tjetër të qeverisë shqiptare për kthimin në Atdhe të kokës së Ali Pashës.

Ali Pashë Tepelena ka shërbyer si guvernator i qytetit të Janinës. Ai u ekzekutua me urdhër të sulltan Mahmutit dhe pas vrasjes u dërgua në Turqi. Koka e tij qëndroi në Turqi, ndërsa trupi prej 191 vitesh ndodhet në Shqipëri.(LajmeShqip.com)