Prishtinë – Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se nga dita e sotme do të fillojë puna për ndryshime në Komunën e Prishtinës, duke iu premtuar qytetarëve të kësaj komune se nëse ua japin mundësinë, AAK-ja do tua kthejë dinjitetin prishtinasve.
Haradinaj këto komente i bëri të shtunën, gjatë shpalosjes së vizionin të AAK-së për kryeqytetin e Kosovës. Duke folur për gjendjen aktuale në vend, Haradinaj ka theksuar nevojën për ndryshime politike, pasi që, siç ka thënë ai, pa një qeverisje të mirë nuk do të ketë përmirësim të gjendjes.
Haradinaj, edhe sot ka përmendur kohën kur ai për njëqind ditë pati drejtuar qeverinë e Kosovës, duke shprehur bindjen e tij, se kanë potencial dhe përvojë të duhur për të punuar për të mirën e vendit.
“Sot e kemi fokusim Prishtinën. Në Prishtinë ne kemi një traditë pune jo ma të mirën. Ne asnjëherë nuk jemi mburr me të, por megjithatë kemi qenë pjesë e jetës politike në Prishtinë. Në momentin e sotëm ne me energjitë e reja, me situatën e re të krijume, po shkojmë edhe një hap më tutje dhe dëshirojmë me i dal hakut qytetarëve të Prishtinës dhe Prishtinës si kryeqytet i yni”, ka thënë ai.
Besnik Tahiri, njëherësh edhe kryetar i degës së AAK-së në Prishtinë, ka thënë se me përgjegjësi të plotë ka pranuar këtë detyrë, duke thënë se fokus kryesor do të jetë forcimi i strukturave dhe avancimi i konceptit të AAK-së, për kryeqytetin.
“Unë kam pranuar me përgjegjësi të madhe dhe me kënaqësi të vërtetë dhe do ta kryej me nder përgjegjësinë që ma ka dhënë kryetari Haradinaj dhe kolegët e mijë të kryesisë për të punuar në Prishtinë, për të forcuar degën, për të ngrit strukturat, për të avancuar konceptin tonë dhe mbi të gjitha për ta sjellë prishtinasin në vendin ku ai e ka, në vendimmarrje të qytetit dhe mbi të gjitha në vendimmarrje të vendit”, ka thënë ai.
Ndërkaq Stiven Shuck, duke folur për liderin e AAK-së, atë e ka krahasuar me Xhorxh Washingtonin dhe Wilson Çurçilin.
“Amerika e ka pas vetëm një Xhorxh Washington, Britania e Madhe ka pasur vetëm një Wilson Çurçil, ndërsa juve Zoti, ua ka dhënë vetëm një Ramush Haradinaj. Ne pra çka duhet të bëjmë duhet t’i ndihmojmë këtij njeri që ta vendosim në atë pozitë që të rregullojë këto gjëra që i mungojnë Kosovës”, ka thënë ai.
Ndryshe, Besnik Tahiri, në vitin 2009, ishte edhe kandidatë i AAK-së për kryetar të Komunës së Prishtinës dhe në atë kohë kishte arritur vetëm 7 për qind të votave.
Besnik Tahiri, është magjistër i shkencave për qeverisje lokale dhe zhvillim ndërkombëtar. Ai është i diplomuar në Angli dhe udhëheq Institutin kosovar për qeverisje lokale.(LajmeShqip.com)
Saturday, 23 February 2013 18:20