Seul – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur një fjalim në Samitin Botëror të Paqes, që po mbahet në Seul, kryeqytet i Koresë së Jugut..
Ai me këtë rast tha:
“Kam kënaqësinë por edhe nderin të jem këtu para jush sot, në një takim të një grupi aq të shquar njerëzish nga e gjithë bota, kontribues të paqes dhe zhvillimit global. Kjo është një mundësi e veçantë që t’ua rrëfej historinë e vendit dhe popullit tim. Kjo është vërtetë një histori e triumfit të paqes mbi konfliktin, të besimit në mirësi mbi frikën, një histori që ka filluar kohë më parë me luftëra të përgjakshme në Ballkan dhe e cila përfundoi në arritjen e paqes në vend dhe në rajonin nga unë vij.
Quhem Hashim Thaçi. Jam kryeministër i Republikës së Kosovës, një vend i vogël në Evropën Juglindore që ka një vend të veçantë në historinë moderne botërore. Vendi im është shteti i fundit i krijuar në kontinentin evropian dhe kemi festuar ditëlindjen e pestë të vendit më 17 shkurt.
Kur them se Kosova ka fituar një vend të veçantë në historinë botërore, i referohem, asaj të cilën disa nga ju mund ta mbani mend, rrugën që populli im ka marrë për të arritur paqen, lirinë dhe demokracinë. Kosova ishte një njësi në ish-Jugosllavi, një vend që u shpërbë plotësisht nën sundimin e regjimit nacionalist në një varg të luftërave të përgjakshme. Serbia fqinje, nën diktatorin Milloseviq që vdiq në burg në Hagë në pritje të një gjykimi ndërkombëtar për krimet e kryera ndaj popullit tim, si dhe ndaj njerëzve të Bosnjës e Hercegovinës dhe Kroacisë, kishte pushtuar vendim tim dhe filloi një fushatë sistematike të dhunës. Mbi 10.000 njerëz janë vrarë në një periudhë të shkurtër kohore. Mbi 1 milion, që nënkupton mbi gjysmën e të gjithë popullsisë, ishte pastruar etnikisht dhe u dëbuan jashtë vendit nga ky regjim i ligë. Mbi 20.000 gra u përdhunuan.
Bota e lirë e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kryesore evropiane na ndihmoi që të bombardohet Serbia dhe të mposhten forcat që shkaktuan kaq shumë kërdi dhe mjerim.
Shoqëria jonë bëri përzgjedhjen e duhur. Jam krenar të kem qenë në ballë të popullit që zgjodhën të drejtat e njeriut, përkushtimin për paqe, tolerancë, zhvillim ekonomik, që e mbështetën sipërmarrjen dhe shoqërinë e hapur si një mënyrë për të shtyrë përpara dhe zhvilluar vendin tonë të shkatërruar nga lufta.
Pas viteve të angazhimit me zell në negociatat me Serbinë për statusin e Kosovës, fituesi i Çmimit Marti Ahtisaari propozoi një plan për të bërë Kosovën të pavarur. Na u premtua vetëvendosja në këmbim për garantimin e të drejtave të gjera për pakicat tona dhe për një sistem vërtetë demokratik për qytetarët tonë”, tha ndër të tjera Hashim Thaçi.(LajmeShqip.com)
Saturday, 23 February 2013 14:09