Shkup – Shefi i diplomacisë gjermane Guido Westerwelle theksoi sot në Shkup se kriza politike në Maqedoni kërkon zgjidhje të brendshme nga ana e partive politike.
Ai këtë e theksoi pas takimit me shefin e diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Popovski.
Westerwelle nënvizoi se Gjermania është e shqetësuar për krizën politike dhe se ai i bëri thirrje të gjithë liderëve politik që të respektojnë rregullat e demokracisë dhe të vendosin respektin e ndërsjelltë dhe mirëkuptimin në drejtim të interesave shtetërore.
“Kriza politike kërkon zgjidhje përbrenda dhe se ajo duhet të zgjidhet nga liderët e partive. Gjermania qëndron prapa perspektivës evroperëndimore dhe mbështet Maqedoninë në rrugën e saj drejt Evropës, megjithatë ka akoma shumë hapa për të bërë. Rregullat janë të njejta për të gjithë, nuk ka lëshime, por nuk ka edhe barriera”, theksoi shefi i diplomacisë gjermane.
Ministri i jashtëm Nikolla Popovski ka theksuar se porosia e Westerwelle është e qartë dhe se vendi duhet të fokusohet drejt integrimeve evroatlantike dhe bashkëpunimit rajonal.
“Vetëm me bashkëpunim të përbashkët mund të shkojmë përpara”, ka nënvizuar Popovski.
Shefi i diplomacisë gjermane pasdite do të takohet edhe me kryetarin e shtetit Gjorgje Ivanov, zëvendëskryeministri për evrointegrime, Fatmir Besimi si dhe takimi me liderin e LSDM-së opozitare, Branko Cërvenkovski.
Westerwelle nuk do të takojë kryeministrin Nikolla Gruevski, ndërkohë para mbërritjes së tij në Shkup ai ka pasur një bisedë telefonike me kryeministrin e Maqedonisë. Nuk dihen akoma arsye se përse shefi i diplomacisë gjermane nuk është takuar me kryeministrin Gruevski. (INA/LajmeShqip.com)
Friday, 22 February 2013 19:00