Lajme Shqip Monday, 18 February 2013 13:14

Gjirokaster – Përfaqësues të minoritetit grek kanë protestuar ditën e hënë përpara konsullatës së Greqisë në Gjirokastër, kundër vendimit të Qeverisë greke për t’ju hequr pensionin që e përfitonin prej vitesh nga ky shtet.

Një ligj i ri i miratuar së fundmi në parlamenti grek i shtrëngon shumë kushtet për 17 mijë përfituesit e deritanishëm të pensionit nga shteti grek. Kështu, sipas ligjit të ri të miratuar mes shumë debatesh dhe kundërshtimesh në parlamentin grek, që një minoritar të përfitojë pension nga ky shtet, duhet të heqë dorë nga çdo e ardhur tjetër dhe të ketë jetuar në Greqi në 20 vitet e fundit.

Masa e marrë nga qeveria greke vjen në kuadër të masave të tjera shtrënguese në kushtet e një krize të thellë ekonomike.

Konsulli grek, Nikos Kotrokois ka deklaruar se një vendim do të merret të mërkurën. Ai tha se qeveria do të rishikojë këtë vendim.

Ndërkohë, minoritarët kanë kërkuar që të rishikohet ligji, në të kundërt ata do të vazhdojnë protestat përpara konsullatës greke.(LajmeShqip.com)